Bledi Shkëmbi vjen te Struga Trim Lum për të nisur një kapitull të ri afatgjatë…
Është agimi i një epoke të re, me plot emocione të forta. Trajneri që vjen, është një punëtor i madh, i cili edhe pse në moshë të re, pas vetes ka një bagazh prej 171 ndeshjeve si kryetrajner, edhe atë me ekipe nga Shqipëria, Kosova, por edhe me ekipet e moshave të reja të kombëtares “kuqezi”.
Bledi Shkëmbi vjen te Struga Trim Lum për të nisur një kapitull të ri afatgjatë, ndërsa pikërisht kjo ka bërë që ai të largohet nga vendlindja e tij dhe të provoj veten për herë të parë në Maqedoni, te një skuadër që edhe pse historikisht shumë e re (e themluar 10 vite më parë), pas vetes ka dy tituj kampion dhe dy finale të Kupës.
Është ky një nder, kuptohet për strategun nga Korça, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe për ti rikthyer qytetit të bukur të Strugës sërish epitetin e qytetit kampion në futboll.
“Fillimisht dua të falënderoj klubin dhe drejtuesit e Struga Trim Lum për vlerësimin dhe dëshirën që patën, që unë të marrë drejtimin e skuadrës. Është kjo hera e parë për mua që do të drejtojë një skuadër në Maqedoni, por mendoj se futbolli nuk ka ngjyra dhe se tani është njësoj kudo që të shkosh” – u shpreh fillimisht trajneri ynë i ri, Bledi Shkëmbi.
Çfarë e bindi korçarin që të marrë drejtimin e Struga Trim Lum?
“Më bindi dëshira dhe projekti i klubit. Pash një klub shumë në rregull dhe me kushte vërtetë profesionale.” – deklaroi Shkëmbi.

“Forca e këtij klubi është të vazhdojë të punojë për të siguruar që ëndërrat e të gjithë struganëve të bëhen realitet. Sot është një ditë shumë e veçantë për të gjithë ata që ndihen të apasionuar pas Struga Trim Lum. Është agimi i një epoke të re, me plot emocione të forta. Trajneri që vjen është plotësisht i vetëdijshëm për këtë stemë dhe këtë fanellë që përfaqëson. Besoj se bashkë mund të arrijmë shumë gjëra, duke pasur parasysh të kaluarën e tij, parasëgjithash si futbollistë, por edhe dashurinë dhe pasionin që ka për futbollin. E dimë që është një punëtor i madh, ndaj i besuam këtë post, pasi me punë dhe me shumë përkushtim, besoj se Struga Trim Lum mund t’ia del sërish dhe se do luajmë rol të rëndësishëm në Ligën e Parë” – deklaroi Drejtori Sportiv i klubit, Besart Isaku.

Trajneri ynë, Bledi Shkëmbi, thotë se herë pas here e ka ndjekur edhe kampionatin e Maqedonisë, e në veçanti ekipin e Struga Trim Lum së fundmi.
“Aq sa kam pas kohë e kam ndjekur kampionatin e Maqedonisë, ndërsa këto ditët e fundit mund të them se kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Struga Trim Lum për të krijuar një ide të qartë për skuadrën.”
Shkëmbin mbi të gjitha e kënaq projekti i prezantuar nga ana e drejtuesve, e që bënë që ai të besoj edhe tek suksesi.
“Me klubin kemi një projekt afatgjatë, ashtu që dëshira dhe qëllimi i të dyja palëve është që të kemi suksese dhe të jemi një klub dhe skuadër fituese dhe serioze.”
“Objektivi ynë si skuadër do të jetë të arrijmë sa më lartë në tabelë, ndërsa pjesëmarrja e vazhdueshme në Europë do të jetë minimumi që do të kërkojmë. E dimë që do të jetë e vështirë, mirëpo neve kemi ardhur këtu për të punuar dhe besoj se mund t’ia arrijmë qëllimit me shumë, shumë punë.”
Merkatoja verore…
“Me merkaton do merremi bashkë me Drejtorin e klubit. Jam i bindur se do të afrojmë lojtarë cilësor që do të jenë shumë të rëndësishëm për të përforcuar skuadrën sa më shumë dhe të jemi konkurrues të denjtë me çdo skuadër tjetër.”
