Hadis Tairi si kampion flet para ndeshjes së fundit të sezonit kundër FC Shkupit

Sikurse një vit më parë, edhe nesër pikërisht kundër FC Shkupit do të zhvillojmë ndeshjen e fundit kampionale. Dhe historia përsëritet sërish, pasi edhe nesër futbollistët tanë do të pajisen me trofeun e më të mirit për sezonin 2023/24…

Kur tashmë edhe zyrtarisht jemi shpallur kampion, e shtuna në Strugë pritet të jetë një ditë feste për gjithë struganët, e në veçanti tifozët më besnik të skuadrës tonë që na përcollën gjatë gjithë vitit, duke qenë pjesë e gjithë atyre sukseseve.

Dita e nesërme do të jetë “Qershia mbi tortë”, për gjithë ata, por edhe për ne si skuadër, pasi së bashku do të ngrisim trofeun e titullit kampion, edhe atë për herë të dytë me rradhë në historikun tonë 9-vjeçar.

Ndërkohë, mbrojtësi i krahut të majtë, Hadis Tairi, nesër do të ngrit trofeun e tij të parë, edhe atë si 19-vjeçar.

“Është vertetë një gjë shumë e bukur kjo për mua, një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë. Kënaqësia është edhe më e madhe, pasi trofeun e parë të titullit kampion, e arrijë me skuadrën e vendlindjes time”.

Ndeshja kundër FC Shkupit…

“Edhe pse jemi shpallur kampion, falë asaj fitore të madhe në transfertën në Tetovë kundër Shkëndijës, neve pavarësisht këtij fakti edhe kundër FC Shkupit do të kërkojmë fitoren. Premtojmë se do të luftojmë si në të gjitha ndeshjet tjera. Do të futemi maksimalisht në këtë ndeshje, të fokusuar për fitore, edhe pse për neve nuk luan rol të rëndësishëm. Megjithatë dëshira për ta mbyllur me fitore sezonin është shumë e madhe, ashtu siç i ka hije një kampioni të vërtetë”.

Fitore për tifozët…

“Fitorja në këtë ndeshje do të ishte për gjithë tifozët tanë, që na qëndruan pas gjatë gjithë sezonit. Shpresojmë ta arrijmë dhe në fund të festojmë gjithë së bashku titullin e dytë me rradhë kampion. Struga e meriton një gjë të tillë.”