Struga Trim Lum të mërkurën në stadiumin e qytetit në Strugë do të mirëpret Vardarin, ndeshje kjo e prapambetur e javës së katërt në elitën e futbollit vendor. Edhe pse Vardari aktualisht renditet në pozitën e fundit, kjo gjë nuk duhet të na gënjej, kjo për faktin se “kuqezinjtë” nga Shkupi në Strugë vijnë pas dy fitoreve të njëpasnjëshme.
Pikërisht fitoret ndaj Rabotniçkit dhe AP Brera, kanë bërë që skuadra jonë të jetë më e mobilizuar për këtë ndeshje, në të cilën sipas mbrojtësit të krahut të majtë, Hadis Tairi, Struga Trim Lum ka forcë dhe kualitet për të arritur deri tek 3 pikëshi, gjithnjë nëse ju përmbahen instrukcioneve të trajnerit.
“Këtë ndeshje e presim maksimalisht të përgatitur. Të gjithë jemi të fokusuar tek fitorja dhe tek 3 pikëshi, edhe pse e dimë që nuk do ta kemi të lehtë. Do jetë një ndeshje e vështirë. E kemi analizuar kundërshtarin bashkë me stafin. Trajnerët na kanë dhënë informatat e nevojshme në lidhje me kundërshtarin dhe besoj se nëse e bëjmë punën që kërkohet nga ne, brenda fushës së blertë dhe nëse secili prej nesh jep më të mirën nga vetja, atëherë besoj se rezultati nuk do të mungojë” – shprehet Hadis Tairi.
Tairi përmes ndeshjes nga Vardari kërkon që Struga Trim Lum të nis një seri pozitive rezultatesh, me qëllim që të rikthehen në kreun e tabelës.
“Besoj se kjo ndeshje do të jetë fillimi i një serie pozitive, sepse ekipet të cilat po kryesojnë tabelën momentalisht do të na ikin vetëm me një pikë, dhe sigurisht që pas kësaj ndeshje do të kemi motivin e duhur për tu rikthyer përsëri në pozitën e parë në tabelën e klasifikimit, aty ku edhe na takon” – shprehet Hadis Tairi, i cili në ndeshjen e fundit kundër Gostivarit, bëri një asist të shkëlqyeshëm në shënimin e golit nga ana e sulmuesit, Bassirou Compaore.