Fitorja ndaj Tikveshit në Kavadar, flet nd.trajneri Bashkim Livoreka

Ndihmës trajneri, Bashkim Livoreka ka dhënë opinionin e tij pas fitores së arritur në Kavadar përballë Tikveshit….

Fitore më se e merituar ishte ajo e ditës së sotme, nëse kemi parasysh se skuadra vendase e Tikveshit, ishte në një situatë ku me çdo kusht kërkonte fitoren, apo të paktën të mos humbaste ndeshjen. Në një situatë të tillë, ndeshja doli të mos jetë edhe aq e bukur dhe me raste shënimi, megjithatë në fund rëndësi kanë pikët dhe fitorja.

Kështu e komenton fitoren e sotme ndihmës trajneri, Bashkim Livoreka:

“Ishte një ndeshje e vështirë, pasi Tikveshi ishte në një situatë ku kërkonte tre pikët e plota, apo mos të humbas. Andaj edhe loja ishte shumë e rëndë për tu luajtur dhe me pak raste. Megjithatë për neve me rëndësi është që mbajtëm qetësinë dhe në fund iu gëzuam tre pikëshit të plotë.”

Tre ndeshje me rradhë nuk dimë për disfatë:

“Sigurisht që na gëzon fakti që tre ndeshje me rradhë nuk humbim. Kjo është e mirëseardhur për të marrë një vetëbesim shtesë, ashtu që shpresojmë se do të vazhdojmë edhe në ndeshjet e rradhës me një performancë të këtillë, sikurse në ndeshjet e fundit.”

Ishin këto fjalët e ndihmësit të Qatip Osmanit, Bashkim Livoreka, që foli edhe për ndeshjen e rradhës, atë kundër Besës, që në program është në fundjavë.

“Fundjava na dërgon në stadiumin e Gostivarit ku do të na ballafaqojë me Besën, skuadër kjo që në rradhët e veta ka shumë lojtarë të cilët në të kaluarën kanë punuar me neve. Sigurisht që do të jetë një ndeshje shumë interesante, pasi me shumicën prej tyre kemi punuar te Shkëndija, Renova dhe FC Shkupit. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë interesante, ku shpresojmë që edhe nga atje të rikthehemi me një rezultat pozitiv.”