Fitore me stil kampioni në Tetovë përballë Shkëndijës

Fytyrë kampioni edhe në Tetovë përballë Shkëndijës, pasi edhe përkundër disavantazhit që kishim, në fund regjistruam fitore 2:1, kjo falë kapitenit tonë, Bunjamin Shabani, i cili shkëlqeu me dy gola të shënuar.

Pas një pjesë të parë mjaft të mirë, si në organizim, ashtu edhe në zotërim të topit, nuk arritëm të shënojmë asnjë gol, njëjtë sikurse edhe kundërshtari ynë, derisa pjesa e dytë ishte shumë më aktive, si nga rastet e krijuara, ashtu edhe sa u përket golave të shënuar.  

Pavarësisht se u kanosëm të parët me goditjen qendrore të Besart Ibraimit në minutën e parë të pjesës së dytë, ishin vendasit që shënuan të parët në minutën e 58-të me anë të Adenis Shala. Ky i fundit na ndëshkoi vetëm një minutë pasi Besart Ibraimi kishet goditur traverzën.

Megjithatë edhe përkundër pësimit të këtij goli, skuadra jonë vazhdoi të sulmojë dhe të krijojë raste para portës së Taleskit, i cili megjithatë kapituloi dy herë deri në mbyllje të takimit.

Fillimisht u dorëzua në minutën e 80-të, falë goditjes precize dhe të fuqishme nga brendia e zonës e Bunjamin Shabanit, i cili vetëm 4 minuta më vonë tregoi edhe njëherë tjetër klasin e tij, duke shënuar edhe golin e dytë me mjaft mjeshtëri.

Ky gol ishte i 12-ti sezonal për Shabanin, që në këtë mënyrë rrumbullaksoi festën edhe për ardhjen në jetë të vajzës së tij, që e kishte paralajmëruar që në ndeshjen e së dielës kundër Sileksit.

Me këtë fitore, Struga Trim Lum, tashmë në pozitën e parë numëron 65 pikë, 7 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë, me të cilën skuadër përmbyllim sezonin më të suksesshëm në histori të dielën që vjen.

Pra e diela e datës 14 maj le të jetë një festë për gjithë Strugën dhe gjithë shqiptarët kudo që janë, të cilët i ftojmë për të qenë pjesë e historisë së skuadrës tonë të themeluar vetëm në vitin 2015-të.

LPFMV | Java 32 | 10.05.2023
Stadiumi i Qytetit – Tetovë
SHKËNDIJA – STRUGA TRIM LUM 1:2
A.Shala 58’       B. Shabani 80’, 84’
Formacioni i skuadrës:
XI Startuese: Kjoshevski; Neziri, Radiç, Krivanjeva; Maliqi, Bojku, Koçoski, Merxhani; Maleski, Ibraimi, Shabani
Banka rezervë: Mirseloski, Jahja, Tairi, Radeski, Jusufi, Kasami, Pengu, Muharem, Hogan, Pere, Kaba,
Shkëndija – Struga Trim Lum
Para fillimit të ndeshjes, Drejtori Sportiv i Shkëndijës, Harun Isa ndau një dhuratë modeste për presidentin Arbtrim Qyra për titullin kampion. Vërtetë një gjest shumë i mirë ky nga ana e drejtuesve të Shkëndijës, futbollistët e së cilës skuadër kishin krijuar edhe “Gardën e nderit”, për të uruar Struga Trim Lum për titullin kampion, të parin në histori.
 
Minuta 1, arbitri jep shenjë për fillimin e takimit
Minuta 40, super aksion i ekipit tonë, Shabani pasoi brenda zonës për Ibraimin, i cili mu në momentin e duhur pasoi për Maleskin, tentativa e të cilit u ndalua nga Almir Rexhepi, i cili devijoi topin më pas në goditje nga këndi
 ____________________________________
Pjesa e dytë
Minuta 46, pjesa e dytë nis me tentativën e Besart Ibraimit, mirëpo vetëm goditje qendrore që u ndal nga portieri vendas Taleski
Minuta 50, pas një dueli në zonën kundërshtare mes Ibraimit dhe Cuculit, ky i fundit preku topin me dorë, mirëpo arbitri Grujoski nuk tregoi në pikën e bardhë
Minuta 57, një super aksion tjetër i skuadrës tonë, me Shabanin inciator, që mjaft mirë pason për Merxhanin në zonën kundërshtare, ndërsa ky i fundit mjaft mirë riktheu topin për Ibraimin, i cili me të majtën e tij lëshoi një predhë të vërtetë, por që preku vetëm trahun e portës
Minuta 58, kur nuk shënon, vjen dënimi, që erdhi vetëm në aksionin e rradhës me Shkëndijën që avansoi me golin e Adenis Shala
Minuta 68, Zija Merxhani asistoi nga e majta brenda zonës, mirëpo Hogan Ukpa ishte i shkurtër në reagimin e tij, duke mos mundur të shtyejë topin drejt rrjetës
Minuta 74, goditje nga distanca, mirëpo pa probleme për portierin kundërshtarë Taleski
Minuta 78, Radeski mjaft  mirë pason për Zija Merxhanin brenda zonës, mirëpo goditja e tij devijohet në rivënie nga këndi
GOOOOOOL
Minuta 80, edhe një tjetër aksion i shpejtë i tanëve, me Radeskin që futet brenda zonës, dhe që mu në momentin e duhur pason për kapitenin Bunjamin SHABANI, i cili nuk falë dhe me të djathtën e tij me një goditje precize për tokë shënon për 1:1
GOOOOOL
Minuta 84, Suhel Muharemi mjaft mirë depërton nga krahu i djathtë duke fituar pozicion, dhe pasi pa të lirë në anën e kundërt Bunjamin Shabanin, pasoi për këtë të fundit, i cili me mjaft mjeshtëri shënoi edhe golin e dytë personal, duke kaluar për herë të parë skuadrën tonë në epërsi në këtë ndeshje
Minuta 90, arbitri Grujoski jep shenjë për fundin e takimit. Nga Tetova rikthehemi me 3 pikë të plota