Fitore me meritë që na rikthen në TOP3

Fitore 2:0 përballë Sileksit në ndeshjen e zhvilluar sot në Strugë, e ku në qendër të vëmendjes doli të jetë sulmuesi, Marjan Radeski, që realizoi të dy golat….

Struga Trim Lum ka regjistruar fitore të pastërt 2:0 ndaj Sileksit në ndeshjen e javës së 10-të në Ligën e Parë, aty ku sërish figurojmë lartë në tabelë, pavarësisht orarit të stërngjeshur që kishim këto javë, për shkak ndeshjeve të mbetura që duheshe ti zhvillojmë në këtë periudhë.

Në një ndeshje ku dominuam në tërësi kundërshtarin, figurë kryesore doli të jetë sulmuesi Marjan Radeski, që në mënyrën më të mirë kreu detyrat e tij në sulm, duke bërë që mos të vërehet mungesa e Besart Ibraimit, i cili vuan nga një lëndim tashmë disa javë, e që realisht e largo inga fushat e futbollit.

Tentativën e parë e regjistrojmë në minutën e 6-të, kur i rikthyeri, Hristijan Georgievski me të majtën e tij vuri në vështirësi portierin mysafir, që në ato momente devijoi topin në rivënie nga këndi.

Në minutën e 13-të Vangjel Zguro u orvat nga goditja e lirë, mirëpo topi përfundoi drejt në duart e portierit Andov, i cili kapituloi në minutën e 18-të para Marjan Radeskit.

Sulmuesi ynë pasi pranoi një top nga kapiteni Shabani pak metra para zonës kundërshtare, pa u menduar shumë lëshoi një goditje të fuqishme dhe mbi të gjitha precize, duke kaluar në avantazh ekipin e Struga Trim Lum.

Vetëm dy minuta pas golit të shënuar nga Radeski, edhe Besmir Bojku u gjind në një pozitë të volitshme për gol, mirëpo në momentin e fundit rrëshqiti, duke humbur një mundësi të mirë për të shënuar.

Bojku 5 minuta para fundit të pjesës së parë kishte edhe një mundësi tjetër, këtë herë edhe më të volitshme për të shënuar në rrjetën e mysafirëve, por kësaj rradhe gëzimin e tij e ndali portieri mysafir, Andov, që intervenoi në mënyrë të shkëlqyer.

Kështu në pushim shkuam me një gol avantazh, të cilin e dyfishuam në minutën e 69-të, kur Radeski shënoi një gol të bukur për rezultat 2:0.

Pas këtij goli të sigurisë, trajneri Duro i vetëdijshëm me gjithë atë periudhë të stërngarkuar që ka kaluar skuadra, vendosi të pushojë disa nga futbollistët titullarë, duke shfrytëzuar që të gjithë 5 zëvendësimet e mundshme deri në fund të takimit, gjë kjo që ndikoi edhe në tempon e lojës, edhe pse në disa momente Abdylhadi Jahja u shfaq mjaft i rrezikshëm para portës kundërshtare, mirëpo duke mos mundur të ndryshojë dot rezultatin.

Ndeshja u mbyll me dy golat e Radeskit dhe me tre pikë të reja në konton e Struga Trim Lum, që me 18 pikë të grumbulluara renditet në pozitën e tretë. Duhet theksuar se skuadra jonë ka edhe një ndeshje më pak, atë kundër Vardarit që do ta zhvillojmë me datë 1 nëntor në terren vendas.

________________________________________________________________________________________________________________

LPFMV | Java 10

STRUGA TRIM LUM – SILEKSI 2:0

Marjan Radeski 18’, 69’

Arbitër Kryesor: Dimitar PILESHKOV (Shtip)

Ndihmës i parë: Kristijan XHONOV (Shtip)

Ndihmës i dytë: Martin PETKOVSKI (Kumanovë)

Arbitër i katërt: Stojançe STOJANOV (Shtip)

Kartonë të verdhë:

M. Neziri (Struga Trim Lum) – Dimitrije Zajiç (Sileks)

FORMACIONET:

STRUGA TRIM LUM: V. Qoshevski, M.Neziri, S. Radiç, B. Krivanjeva, V. Zguro; H. Ukpa (E. Maliqi), H. Georgievski (B. Kamberi), B. Bojku (F.Tairi), B. Shabani; M. Radeski (Compaore), M. Mazrekaj (A.Jahja);

SILEKSI: M.Andov, A.Lamallari, D. Zajiç, I.Subert, S.Lazareviq, A.Kalanoski, S.Milosavljeviç, V. Serafimovski, M.Nikoliç, D.Poposki, M. Gjorgjievski