Fall: Kundër Voska Sport të përsërisim atë që bëmë ndaj Shkëndijës

Struga Trim Lum në kuadër të javës së 23-të do të mirëpret Voska Sport. Nga tabori i skuadrës tonë, përveç trajnerit Gjorgjioski, ka folur edhe mbrojtësi i krahut të majtë, senegalezi Pape Fall…

www.fcstruga.com

Është koha sërish për ndeshjet kampionale. Këtë herë përballë do të kemi Voska Sport, një skuadër shumë e papërshtatshme, ndaj së cilës në shumë probleme hasën edhe kundërshtarët e deritanishëm në stinorin pranveror.

Ndaj skuadra duhet të jetë shumë e kujdesshme nesër, nëse duam të vazhdojmë serinë e fitoreve, pas asaj ndaj Shkëndijës në mesjavë.

“Shpresojmë të vazhdojmë me fitore pas atyre disfatave. Pas fitores me Shkëndijën shpresojmë të vazhdojmë me këtë kontinuitet dhe të ecim para.” – u shpreh mbrojtësi i krahut të majtë, Pape Fall, për të cilin është ky edicioni i parë që po luan në futbollin tonë vendor.

“Jam këtu për herë të parë, në këtë kampionat. Mund të them se ka futbollistë shumë të mirë, çdo skuadër ka futbollistë kualitativ që dinë të luajnë futboll dhe që e duan atë.” – shprehet Pape Fall, i cili flet edhe për impresionet e tij të para në qytetin tonë të bukur të Strugës.

“Qyteti është shumë i bukur, më pëlqen, më pëlqen gjithashtu edhe ekipi, ka atmosferë të mirë, gjithçka është mirë këtu.” – thotë Pape Fall, i cili beson tek fitorja në ndeshjen e nesërme ndaj Voska Sport.

“Po, ne jemi përgatitur për këtë ndeshje. Mund të them se jemi përgatitur njëjtë sikurse edhe për ndeshjen me Shkëndijën. Jemi gati, i gjithë fokusi ka qenë në këtë ndeshje dhe besoj se do fitojmë.” – theksoi mbrojtësi senegalez, i cili skuadrës tonë iu bashkua gjatë këtij afati kalimtarë të dimrit nga ekipi letonez i FK Liepaja.

Fall është i sigurtë se Struga Trim Lum posedon kualitet dhe forcë për të siguruar në fund një vend për në garat europiane, qoftë ajo përmes Kupës, apo edhe kampionatit.

“Mund ta fitojmë Kupën, ose të ecim pak më lartë në renditje në kampionat, duke marrë pozitën e dytë.” – përfundoi intervistën Pape Fall, që nesër pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 5-të në kampionat, dhe gjithsej të 7-tën me fanellën e Struga Trim Lum, pasi nga një ndeshje kishte zhvilluar edhe në Kupat Europiane dhe një tjetër në kuadër të Kupës, atë kundër Gostivarit.