Këtë fundjavë edhe zyrtarisht starton stinori pranveror. Struga Trim Lum ndeshjen e parë të këtij gjysëmsezoni do ta zhvillojë në Shkup kundër Rabotniçkit, ndaj së cilës skuadër kemi një bilanc pozitiv…
Futbollistët e Struga Trim Lum të dielën synojnë të bëjnë hapin e parë në rrugën drejt suksesit. Në Shkup do të përballemi me skuadrën e Rabotniçkit, drejtuesit e së cilës skuadër së fundmi prezantuan tre blerje të reja.
Ndaj ekipit shkupjan do të synojmë fitoren e 5-të rresht, duke pasur parasysh se stinorin vjeshtorë e mbyllëm me 4 fitore të njëpasnjëshme, që në fund na ndihmuan edhe të shpallemi kampion të pjesës së parë të sezonit 2023/24.
Më poshtë mund të gjeni të gjitha faktet dhe statistikat lidhur me këtë ndeshje.
Dominim absolut i Struga Trim Lum
Struga Trim Lum ka fituar 10 nga gjithsej 15 ndeshje kundër Rabotniçkit, përfshirë këtu edhe dy ndeshje në kuadër të Kupës, ku në njërën kishim arritur deri tek fitorja vetëm përmes ruletit të penaltive.
Ndryshe sa u përket ndeshjeve kampionale, nga gjithsej 13 ndeshje, skuadra jonë numëron 8 fitore, 4 barazime dhe vetëm një disfatë.
Disfatën e vetme nga ky kundërshtarë e kemi pësuar para plotë 4 viteve, me 16 shkurt të vitit 2020, edhe atë në ndeshjen e zhvilluar në Strugë.
Sa u përket ndeshjeve në Shkup ndaj Rabotniçkit, Struga Trim Lum numëron 3 fitore dhe 3 barazime.
Në 6 ndeshjet e fundit, regjistrojmë 5 fitore dhe 1 barazim.
Rabotniçki skuadra e preferuar e Bunjamin Shabanit
Rabotniçki është skuadra e preferuar e kapitenit tonë, Bunjamin Shabani. Të dielën kapiteni ynë ndaj “romantikëve” do të zhvillojë ndeshjen e tij të 22-të dhe të 11-tën me fanellën e Struga Trim Lum.
Pikërisht ndaj Rabotnçkit, ai ka realizuar më së shumti gola, gjithsej 4, po aq sa ka shënuar edhe ndaj Sileksit, mirëpo ndaj skuadrës nga Kratova, një numër të tillë golash, e kishte arritur në 17 ndeshje.
Në ndeshjen e rradhës ndaj Rabotniçkit, Shabani do të jetë në kërkim të fitores së 10-të personale, dhe të 7-tën me fanellën e Struga Trim Lum, me të cilën skuadër nuk njeh disfatë në ndeshjet ndaj “romantikëve”.
5 ndeshjet e fundit
Bunjamin Shabani është futbollisti i vetëm që ka realizuar dy gola në 5 përballjet e fundit ndaj Rabotniçkit. Ndryshe në këto 5 përballje, ku kemi realizuar 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, kemi një gol-averazh 8:3 në favorin tonë, ndërsa është interesant fakti se në 3 përballje, sa ishte prezent me fanellën e skuadrës tonë, Besart Ibraimi, golashënuesi numër një i skuadrës tonë, nuk ka gjetur rrjetën.
Besart Ibraimi të dielën luan ndeshjen e tij të 21 kundër Rabotniçkit
Besart Ibraimi të dielën në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari të Shkupit, pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 21 në përballjet ndaj Rabotniçkit. Më së shumti ndeshje gjatë karrierës së tij, Ibraimi ka zhvilluar vetëm ndaj FC Shkupit dhe Sileksit (22).
Në 20 ndeshjet e deritanishme, 3 prej të cilave si pjesë e Struga Trim Lum, Ibraimi ndaj Rabotniçkit ka realizuar gjithsej 13 gola.
Ai kundër “romantikëve” numëron 14 fitore 4 barazime dhe vetëm 2 disfata.
Golin e fundit kundër Rabotniçkit, Ibraimi e ka realizuar me 21 prill të vitit 2021, duke qenë pjesë e Shkëndijës së Tetovës.
Rabotniçki luan mirë si vendas
Rabotniçki luan mirë në terren vendas, teksa në 9 ndeshje numëron 6 fitore, 1 barazim dhe 2 disfata. Në 5 ndeshjet e fundit, kjo skuadër numëron 3 fitore, 1 barazim dhe 1 disfatë.
Nëse llogarisim vetëm ndeshjet si vendas, Rabotniçki renditet në pozitën e 5-të, ndërsa bashkë me ato në transfertë kjo skuadër mban pozitën e 6-të.
Në ndeshjet si mysafir, skuadra nga kryeqendra jonë numëron 1 fitore, 1 barazim dhe 7 disfata. Më keq se ata, është vetëm Bregallnica.
Megjithatë falë rezultateve pozitive si vendas, Rabotniçki figuron në mesin e tabelës, ndaj dhe për këtë arsye neve duhet të jemi të kujdesshëm në ndeshjen e së dielës.
Arbitrët e takimit
Arbitër kryesor në takimin kundër Rabotniçkit do të jetë Dimitar Pileshkov, i cili këtë edicion na ka referuar në dy ndeshje. Në të dyjat neve kemi falë si fitues, edhe atë pa gol të pësuar. Fillimisht fitore 2:0 ndaj Sileksit dhe një fitore e thellë 4:0 ndaj Vardarit që erdhi në muajin nëntor të vitit të kaluar.
Shpresojmë që Pileshkov të na sjellë fat edhe në ndeshjen e së dielës, në të cilën ndihmës të arbitrit nga Shtipi do të jenë Kristijan Xhonov dhe Andrej Qamilov.
Ivana Projkovska do të luaj rolin e arbitres së katërt, derisa delegat i takimit do të jetë Sulejman Ibishi nga Tetova.
Struga Trim Lum, skuadra që Pileshkov i ka referuar më së shumti
Dimitar Pileshkov në karrierën e tij si arbitër kryesor, në Ligën e Parë ka referuar në gjithsej 33 ndeshje. Pikërisht ekipit tonë i kishte referuar më së shumti ndeshje, gjithsej 10, dy prej të cilëve këtë edicion.
Nga gjithsej 10 ndeshje me Pileshkov si arbitër kryesor, neve kemi regjistruar 7 fitore, 1 barazim dhe dy disfata. Në 5 ndeshjet e fundit me këtë arbitër njohim vetëm fitore, përfshirë këtu edhe dy fitoret më të thella me Duron si kryetrajner, atë kundër Pobedës së Prilepit (6:2) dhe Vardarit (4:0). Në anën tjetër, Rabotniçkit i ka referuar 5 herë dhe “romantikët” në të gjitha 5 ndeshjet janë mundur. Ndeshja e së dielës do të jetë e para që Pileshkov do të udhëheq një ndeshje tonën kundër Rabotniçkit.
Udhëtimi i fundit në Shkup ndaj Rabotniçkit
Në udhëtimin e fundit në Shkup ndaj Rabotniçkit, kishim regjistruar fitore minimale 1:0, falë golit të shënuar nga Hristijan Maleski. Edhe ajo ndeshje ishte zhvilluar në stadiumin e lagjes Maxhari në Shkup, aty ku do të luajmë edhe të dielën, derisa vlen të theksohet se ndaj “romantikëve” ndeshjet si mysafir i kemi zhvilluar në tre stadiume të ndryshme, përfshirë këtu edhe arenën “Todor Proeski”, por edhe atë “Petar Milloshevski” pranë ndërtesës së Federatës së Futbollit të Maqedonisë.
Që në tre stadiumet kemi shijuar aromën e fitores, pasi në duelet në Shkup përballë kësaj skuadre nga gjithsej 6 ndeshje, numërojmë 3 fitore dhe 3 barazime.
Fitoren më të thellë e kishim regjistruar me 2 prill të vitit 2022, kur në arenën Todor Proeski shënonim fitore me rezultatin 3:1.
Ndeshja
Ndeshja e 18 shkurtit kundër Rabotniçkit do të jetë e 14-ta në kuadër të ndeshjeve kampionale. E njëjta do të zhvillohet në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari të Shkupit, me fillim në ora 14:00.