Pasi dje mësuam emrin e kundërshtarit të raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, sot përmes shortit mësuam edhe kundërshtarët e mundshëm të raundit të dytë, si në Ligën e Kampionëve, po ashtu edhe në kuadër të Ligës së Konferencës, gjithnjë nëse eliminohemi në turin e parë nga sllovakët e Sllovan Bratisllava…
Pas hedhjes së shortit të martën, kur mësuam emrin e kundërshtarit për raundin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, sot në Nion të Zvicrës u hodh shorti edhe për ndeshjet e raundit të dytë, e ku njohëm gjithashtu emrin e kundërshtarit të mundshëm të kësaj faze.
Kështu në rast eliminimi të skuadrës kampione të Sllovakisë, Sllovan Bratisllava, ekipi ynë, Struga Trim Lum në turin e dytë të Ligës së Kampionëve do të përballej me fituesin nga përballja midis, Flora Talin nga Estonia dhe Celje nga Sllovenia.
Edhe ndeshjen e raundit të dytë në Ligën më prestigjioze do e luanim në terren mysafir me datë 23/24 korrik, ndërkohë atë kthyese një javë më vonë (30/31 korrik) në vendin tonë.
Në rastin më të keq, në rast se nuk kalojmë pengesën e quajtur, Sllovan Bratisllava, atëherë do vazhdonim garat në turin e dytë të Ligës së Konferencës, aty ku për kundërshtarë do të prisnim humbësin nga përballja midis Dinamo Minsk nga Bjellorusia dhe Pjunik nga Armenia.
Ndeshjen e parë në kuadër të turit të dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës do e zhvillonim si vendas me datë 25 korrik, ndërsa atë kthyese në fushën e kundërshtarit me datë 1 gusht.