Ekipi në pushim, rikthehemi me 6 janar

Për dallim nga edicioni i kaluar (2023/24) kur kishim dalë kampion vjeshtorë, këtë aktual e mbyllëm me 7 pikë më pak, por edhe një disfatë më pak. Edicionin e kaluar pas 18 xhirove të para, kishim regjistruar 13 fitore dhe 5 disfata, duke numëruar 39 pikë….

Ekipi i Struga Trim Lum edhe zyrtarisht ndodhet në pushim dimëror, që do zgjasë deri me datë 6 janar, atëherë kur është paraparë të bëhet grumbullimi i parë i futbollistëve për vitin 2025. Deri atëherë futbollistët do të shfrytëzojnë ditët e lira për të pushuar pas orarit të stërngarkuar, sidomos në fillim të sezonit, kur luanim edhe ndeshjet europiane.

Pikërisht, Europa do të jetë synimi ynë kryesor edhe për sezonin 2024/25, pavarësisht se pjesën e parë e mbyllëm në pozitën e 5-të.

Pas 18 xhirove të zhvilluara Struga Trim Lum, regjistroi 9 fitore, 5 barazime dhe 4 disfata, duke grumbulluar 32 pikë, 5 më pak se tre skuadrat e para në tabelë, Sileksi, Shkëndija dhe Rabotniçki.

Diferenca nuk është shumë e madhe, ndaj besojmë tek vetvetja dhe ekipi që kemi, pasi në të kundërtën nuk do mbanim edhe epitetin e kampionit.

Pikërisht në momente të vështira kemi ditur të reflektojmë, ndaj besojmë se pjesa e dytë e sezonit do të jetë më e frytshme për ne si skuadër dhe se do kompenzojmë pikët e humbura gjatë stinorit vjeshtorë.

Kujtojmë, neve jemi gjithashtu në garë edhe për trofeun e Kupës, e që realisht na mungon pas dy titujve të njëpasnjëshëm kampion. Në këtë garë jemi në mesin e 8 skuadrave më të mira, teksa sot do të mësojmë kundërshtarin për në fazën çerekfinale.