DURO: FITORE HISTORIKE…

Fitorja e mbrëmshme ndaj Buduçnostit pa dyshim se ishte historike për Struga Trim Lum, edhe pse sipas trajnerit Shpëtim Duro, historik është i tërë sezoni, pasi fillimisht skuadra që ai po udhëheq tani, u shpall kampion i Maqedonisë së Veriut, luajti në finale të Kupës, debutoi në Ligën e Kampionëve, derisa së fundmi arriti që të kalojë edhe raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Gjithë këto suksese përshkruajnë një histori të mrrekullueshme të ekipit të themeluar vetëm në vitin 2015-të, që tashmë sheh veten përballë ekipeve europiane.

Struga Trim Lum mbrëmë në Podgoricë të Malit të Zi shënoi edhe fitoren e dytë përballë Buduçnost, duke u kualifikuar me meritë në raundin tjetër kualifikues të Ligës së Konferencës, aty ku tashmë numërojmë gjithsej 4 përballje.

“Është kjo një fitore historike, gjithashtu mund të them se i tërë ky sezon është historik për Struga Trim Lum, pasi dolëm kampion, luajtëm në finale të Kupës, por njëkohësisht të kalosh një tur në garat europiane, mendoj se është historike, aq më tepër se bëhet fjalë për një skuadër modeste, siç jemi neve në këtë rast” – u shpreh fillimisht trajneri Shpëtim Duro, duke vazhduar më pas edhe më hollësisht të flas për ndeshjen, që dhuroi plotë 7 gola, kthesa në rezultat, por edhe shumë emocione.

“Ishte një ndeshje e vështirë, ashtu edhe siç e kishim parashikuar. Ndeshja filloi keq për ne, pasi pësuam gol që në fazën e hershme,  por skuadra gjeti forcën, duke shënuar shumë shpejtë dhe më pas edhe duke përmbysur rezultatin. Në momentet kur menduam se në pjesën e dytë do ta kemi më të lehtë, në sekondat e fundit të pjesës së parë pësuam golin e barazimit, gol ky që krijoi presion dhe moral te kundërshtari. Mirëpo duke pasur në skuadër lojtar të kalibrit si, Besart Ibraimi, Marjan Radeski, Bunjamin Shabani, Besmir Bojku, lojtar që kanë vlera të jashtëzakonshme, profesionistë të vërtetë që po mbajnë peshën kryesore të skuadrës, atëherë doli që edhe pjesa e dytë të jetë në favorin tonë. Më shqetësoi dalja e Mentor Mazrekajt sepse ishte futur shumë mirë në këtë ndeshje, në momentet e para, para se të dëmtohej, por e rëndësishme është që në fund arritëm një fitore të madhe” – u shpreh Shpëtim Duro, i cili tashmë mund të thuhet se është një penicilin për skuadrat malazeze, duke pasur parasysh se tre vite me rradhë po i eliminon në garat europiane.

Dy vite rradhazi, 2021, 2022, një gjë të tillë bëri me Laçin, ndërsa tashmë edhe me Struga Trim Lum.