Duro: Arritëm atë që deshëm

Shpëtim Duro ka folur pas fitores ndaj Vardarit në Shkup, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 16-të në Ligën e Parë. Skuadra jonë shënoi fitore 3:1, ndërsa e njëjta u paralajmërua që në çerekun e parë të takimit, kur kishin epërsinë e dy golave.

Pas ndeshjes, opinionin e tij e dha trajneri Shpëtim Duro, që ka mbetur i kënaqur, si nga loja, poashtu edhe nga rezultati.

“Arritëm objektivin, që ishte fitorja. Fitore e merituar do të kisha thënë, si me lojë, ashtu edhe me rezultat, edhe pse i njëjti mund të ishte edhe më i thellë në rast se shfrytëzonim disa nga rastet e krijuara, sidomos në pjesën e dytë” – u shpreh Shpëtim Duro, i cili skuadrën tonë e udhëhoqi për herë të 26-të, kur janë në pyetje ndeshjet kampionale.

Fitorja e sotme ndaj Vardarit, për strategun nga Shqipëria në krye të skuadrës tonë, ishte e 19-ta nga gjithsej 26 ndeshje, ku ka regjistruar edhe 2 barazime dhe 5 disfata.