Dita e trofeut, dita për të festuar, eja edhe ti

Dita e sotme apo dita e trofeut, le të festojmë bashkë, ndaj eja edhe ti për të qenë pjesë e festës së madhe. Struga falë ekipit të Struga Trim Lum, me pronar familjen Qyra, përveç  epitetit si qytet turistik, tashmë po njihet edhe si qytet kampionësh…

Qytetin e bukur të Strugës falë ekipit të Struga Trim Lum, me pronar familjen Qyra, përveç si turistik, tashmë shumë persona e njohin edhe si qytet kampioni. Struga Trim Lum për të dytin vit me rradhë po shpallet kampion, duke ju marrë primatin dy skuadrave tjera shqiptare me buxhet më të madh, Shkëndijës dhe FC Shkupit.

Pikërisht fitorja e javës së kaluar në Tetovë kundër Shkëndijës na mundësoi që të sigurojmë titullin kampion, të cilin do e shijojmë sot përballë rivalit tjetër për titull, FC Shkupit.

Ndeshja kundër “bardhebluve” nga Çairi do të jetë e fundit për sezonin 2023/24, në të cilin skuadra jonë ka regjistruar edhe një rekord.

REKORD GOLASH

Fjala është për rekordin e shënimit të golave brenda një sezoni. Skuadra jonë në 32 ndeshje ka realizuar 55 gola, duke thyer rekordin e sezonit të kaluar, kur gjithashtu ishim shpallur kampion.

Mirëpo për dallim nga edicioni i sivjtshëm, edicionin e kaluar 2022/23, Struga Trim Lum kishte bërë 53 gola në 30 ndeshje, kjo për shkak se Renova ishte tërhequr nga garat.

Kështu, edicioni 2023/24, po rezulton të jetë edicioni më i suksesshëm, kur janë në pyetje golat e shënuar nga gjithsej 5 edicione, që po i zhvillojmë në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.

DYSHJA IBRAIMI-RADESKI, SË BASHKU 30 GOLA

E kur janë në pyetje golat, nuk ka se si të mungojë këtu emri i mbretit, Besart Ibraimi. I njëjti edicionin e kaluar shënoi 19 gola në ndeshjet e Ligës së Parë, duke fituar epitetin e golashënuesit më të mirë, ndërsa edicionin aktual, Ibraimi ka arritur shifrën e 15 golave, po aq sa ka shënuar edhe Marjan Radeski.

Ibraimi, këtë edicion, përveç që është në garë ende për top-golashënuesin më të mirë, ai mban epitetin e asistuesit më të mirë në Ligën e Parë.

Plotë 13 asistime dhe 15 gola të shënuar në 28 ndeshje, vërtetë numra të frikshëm, për një futbollistë 37-vjeçar, i cili sot luan ndaj skuadrës së tij më të preferuar, kur janë në pyetje golat e shënuar.

BESART IBRAIMI, 17 GOLA KUNDËR FC SHKUPIT

Besart Ibraimi sot kundër FC Shkupit, skuadrës së tij të preferuar pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 24-të. Në 23 ndeshjet e deritanishme, Ibraimi përballë skuadrës shkupjane ka realizuar plotë 17 gola, më shumë se ndaj çdo skuadre tjetër të Ligës së Parë.

Ndryshe sot, Ibraimi do të zhvillojë ndeshjen e 6-të kundër FC Shkupit, si pjesë e Struga Trim Lum, ku ka arritur të realizojë edhe dy gola.

Në ndeshjen e fundit, që ishte mbyllur me barazimin 2:2, Ibraimi humbi një penalti ndaj FC Shkupit.

Shpresojmë një gjë e tillë të mos i përsëritet goleadorit tonë, duke pasur parasysh se është në garë sërish për epitetin e golashënuesit më të mirë, edhe atë së bashku me Marjan Radeskin, që të dy nga 15 gola të shënuar, vetëm një gol më pak se kryesuesi aktual, Aleksa Marushiq.

NDESHJET MES NESH

Ndeshja e sotme kundër FC Shkupit do të jetë e 15-ta gjithsej në kuadër të Ligës së Parë. 5 fitore për ne, 5 për FC Shkupin, derisa 4 ndeshje janë mbyllur me barazime. Në tre ndeshjet e fundit që janë zhvilluar në Strugë, neve numërojmë dy fitore identike 2:1, derisa ndeshja e fundit ishte mbyllur me barazim 2:2.

Shpresojmë që edhe ndeshja e sotme të dhuroj gola.

SOT KUNDËR SHKUPIT PRANË NJË REKORDI TË RI

Edicioni 2023/24 rezultoi të jetë edicioni më i suksesshëm kur janë në pyetje golat e shënuar. Falë 55 golave të shënuar në 32 xhirot e deritanishme, neve vendosëm rekord në historinë tonë të ndeshjeve në kuadër të Ligës së Parë, ndërsa shumë lehtë mund të ndodh, që brenda të njëjtit edicion, në ndeshjen e sotme të vendosim edhe një rekord tjetër.

Në 5 edicionet e deritanishme në Ligën e Parë, në 151 ndeshje kemi regjistruar 73 fitore, 42 barazime dhe 30 disfata.

Më së shumti fitore brenda një sezoni futbollistik, arritëm edicionin e kaluar, gjithsej 20 fitore, po aq sa kemi në sezonin aktual, ashtu që një fitore eventuale ndaj FC Shkupit sot, do na mundësonte të vendosim edhe një rekord të ri në historinë tonë 9-vjeçare, atë të fitoreve.

STRUGA TRIM LUM

Edicioni 2019/20

6 fitore, 7 barazime, 10 disfata      ⚽️ 19:28

Edicioni 2020/21

15 fitore, 12 barazime, 6 disfata    ⚽️ 39:24

Edicioni 2021/22

12 fitore, 11 barazime, 10 disfata  ⚽️ 33:33

Edicioni 2022/23

20 fitore, 8 barazime, 2 disfata      ⚽️ 53:19

Edicioni 2023/24

20 fitore, 4 barazime, 8 disfata     ⚽️ 55:31 (vijon)

NDESHJA – DITA E TROFEUT

Ndeshja e sotme, ndryshe e njohur si dita e trofeut, në të cilën do të jemi nikoqir të FC Shkupit, do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Strugë me fillim në ora 17:00.

Lajm i bukur është se hyrja do të jetë falas, ashtu që ftojmë gjithë tifozët e Struga Trim Lum, që në stadium të vijnë gjysmë ore para fillimit të ndeshjes, pasi duke pasur parasysh kushtet klimatike, pritet të ketë një interesim të jashtëzakonshëm.