Disfatë minimale nga transferta në Gostivar

Disfatë minimale 2:1 në transfertën ndaj Gostivarit, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 12-të në elitën e futbollit vendor. Fillimi i takimit nuk paralajmëroi një fund të tillë, pasi me anë të Mexhit Nezirit dhe Marjan Radeskit, rrezikuam dukshëm portën kundërshtare që në minutat e para të takimit.

Megjithatë pasoi një periudhë jo e mirë e skuadrës tonë deri në fundin e pjesës së parë, kur vendasit arritën të shënojnë dy gola në rrjetën e Qoshevskit. Mungesa e qendërmbrojtësit Besart Krivanjeva në krahun e majtë ishte shumë evidente, ndërsa kjo u vërejt gjatë shënimit të golit të dytë, por edhe të parë, kur Saviç i vetëm nuk arriti të mbulojë mjaft mirë sulmesin Kehinde, që shënoi për 1:0 në minutën e 36-të.

Një vendosje jo e mirë në mbrojtjen tonë, na ndëshkoi edhe në minutën e 44-të, kur mesfushori turk Alper Potuk, pasi fitoi duelin me Nezirin brenda zonës, shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Qoshevskit.

Pjesa e dytë nisi me tre ndryshime në formacionin tonë, me Maliqin, Tairin dhe Ukpan, që u inkuadruan në lojë në vend të Radiç, Georgievskit, gjegjësisht Mazrekajt.

Kjo pjesë doli të jetë shumë më e mirë për futbollistët tanë, që morrën inciativën që nga fillimi, ndërsa shumë pak mungonte që bomba e Besart Ibraimit me të djathën e tij në minutën e 58-të, të përfundoi në rrjetën e Jashar. Ky i fundit me gishtërinjtë e tij, devijoi topin në rivënie nga këndi.

Aksioni i rradhës nga krahu i majtë solli edhe golin e parë për skuadrën tonë. Kapiteni Shabani kombinoi në afërsi me Ukpa, ndërsa nigeriani me mjaft zgjuarsi pasoi për Hadis Tairin, i cili me të majtën e tij gjeti mjaft mirë aty brenda 5-metërshit të portierit kundërshtarë, sulmuesin Basiru Compaore, i cili në ato momente nuk e pati të vështitë të shënojë për 2:1.

E gjithë kjo ndodhi, ende pa kaluar një orë e tërë e këtij takimi, mirëpo rrjetat pushuan deri në fund, kjo edhe si pasojë e futbollistëve vendas, duke filluar që nga portieri Jashar, të cilët më shumë mendonin se si të fitojnë në kohë, se sa për golin kundërshtarë.

Në saje të një loje të tillë, ku arbitri tregoi 8 kartonë të verdhë dhe një të kuq për aktorët në fushë (Hogan Ukpa – min90′), derisa dy herë ndërhyri edhe te bankina e vendasve duke ndëshkuar së fundmi me të kuq edhe Angelçe Timovski, për shkak protestave të vazhdueshme që vinin nga atje, futbollistët tanë nuk kishin se si të lidhin lojë, përballë aktorëve të vërtetë që në fushë kishin zbritur me petkun e futbollistit.

Ishte kjo disfata e katërt këtë edicion për ekipin e Struga Trim Lum, që në mesjavë do të zhvillojë takimin e mbetur të javës së katërt kundër Vardarit, ndërkohë të dielën që vjen në Strugë do të mirëpresim Shkëndijën e Tetovës.

________________________________________________________________________________________________________________

LPFMV – Java 12

KF GOSTIVARI – STRUGA TRIM LUM 2:1

L.Kehinde 36’, A.Potuk 44’ – B. Compaore 59’,

Stadiumi i Qytetit – Gostivar

Shikues: 2500

________________________________________________________________________________________________________________

Kartonë të verdhë:

GOSTIVARI: A. Potuk, L. Kehinde, A. Bilali, I.Atiemwen, A. Timovski, A. Jashar, Y. Nkurunziza, R. Selmani (jashtë terrenit)

STRUGA TRIM LUM: S. Radiç. V. Qoshevski, H. Ukpa, B. Ibraimi, M. Neziri

Kartonë të kuq:

GOSTIVARI: A. Timovski (jashtë terrenit)

STRUGA TRIM LUM: H. Ukpa

________________________________________________________________________________________________________________

Arbitër kryesor: Igor Stojçevski (Shkup)

Ndihmës i parë: Dejan Kostadinov (Shkup)

Ndihmës i dytë: Davor Cvetanoski (Shkup)

Arbitër i katërt: Darko Stojçevski (Shkup)

________________________________________________________________________________________________________________

Formacionet:

GOSTIVARI: A. Jashar, A.Timovski, Xh.Abdullah, A.Bilali, V.Krstevski, J. Rushtu, A. Alhasan, A.Potuk, Y. Nkurunziza, L.Kehinde, I.Atiemwen;

STRUGA TRIM LUM: V. Qoshevski, M.Neziri, S.Radiç, V. Zguro, B.Bojku, H. Georgievski, B. Shabani, B. Comapore, M. Mazrekaj, M. Radeski, B. Ibraimi;  

________________________________________________________________________________________________________________