Disfata nga Sileksi, flet trajneri Shpëtim Duro

Edhe përkundër avantazhit 2:0 që kishim përballë Sileksit, në fund pësuam disfatë 2:3, që ishte e para nga ky kundërshtarë që nga viti 2019-të, kur janë në pyetje ndeshjet kampionale…

Disfatë e papritur nga Sileksi, që bënë edhe më të zjarrtë garën për titullin e kampionit. Ishte kjo disfata e parë nga ky kundërshtarë, që për herë të fundit kishim humbur me 27 tetor të vitit 2019-të, kur janë në pyetje ndeshjet e Ligës së Parë. Që nga ajo ndeshje, skuadra jonë kishte regjistruar 6 fitore dhe 3 barazime.

Fitoren e paralajmëruam edhe gjatë 45 minutave të para, kur thjeshtë ishim më të mirë dhe me anë të dyshes Besart Ibraimi (23’) dhe Marjan Radeski (34’), avansuam me shifrat 2:0. Dhe kur të gjithë menduam se sërish nuk do ta kemi problem me këtë kundërshtarë dhe se po na buzëqeshte edhe fitorja e 8-të në përballjet direkte në LPFMV, ndodhi e kundërta.

Mysafirët fillimisht me anë të Leonid Ignatov në pushim shkuan me disavantazh prej vetëm një goli, derisa në pjesën e dytë, falë një goli tjetër të Ignatov, por edhe një të shënuar nga Antonio Kalanoski, në fund nga Struga u larguan me fitore, që ishte vetëm e dyta kundër skuadrës tonë.

Trajneri Shpëtim Duro, menjëherë pas ndeshjes dha edhe opinionin e tij për takimin në fjalë, ndërsa i njëjti gjithë fajin ja hedh vijës mbrojtëse, e cila nuk funksionoi ashtu si duhet.

Gabime elementare do të kisha thënë, në pozicionime të mbrojtjes. Pra nga një epërsi prej dy golash, të humbasësh ndeshjen, mendoj se i gjithë faji qëndron në vijë e fundit. Sulmi edhe në këtë ndeshje ishte në nivelin e duhur, duke çuar në  2:0 rezultatin. Mirëpo le të jetë ky një mësim i mirë për këto ndeshje të mbetura dhe të mos lejojmë që të na ndodh një gjë e tillë, duke pasur ndoshta fitoren në xhep.” – u shpreh trajneri Shpëtim Duro, i cili që nga ky moment duhet të mendoj për ndeshjen e rradhës që na pret të mërkurën, kur përballë do të kemi Tikveshin.

Këtë ndeshje do ta zhvillojmë të mërkurën (01 maj) në Kavadar me fillim në ora 16:00.