Regjistrojmë fitoren më thellë në histori | Struga Trim Lum-Pobeda Valandovë 10:1

Fitore 10:1 në ndeshjen e raundit të parë të Kupës kundër Pobedës nga Valandova. Florian Roçi shkëlqen me 4 gola, nga dy gola shënuan Altin Aliji dhe Daniel Kehinde, ndërsa nga një gol shtuan edhe Agon Demiri dhe Arbi Vosha…

Struga Trim Lum ka regjistruar fitoren më të thellë në histori, duke mundur Pobedën e Valandovës me shifrat 10:1 në ndeshjen e raundit të parë në kuadër të Kupës së Maqedonisë.

Në një ndeshje me shumë aksione dhe gola, skuadra e Bledi Shkëmbit golin e avantazhit e realizoi vetëm pas dy minutave lojë përmes Florian Roçit, që në fund doli të jetë lojtari më i spikatur i ndeshjes, me 4 gola të shënuar.

Nuk vonoi shumë, dhe vetëm 60 sekonda më pas golin e parë me fanellën e Struga Trim Lum në një ndeshje zyrtare e realizoi sulmuesi, Altin Alliji, që në ato momente shënoi për 2:0.

Në minutën e 12-të rezultati ishte 3:0, kjo falë golit të dytë personal të Florian Roçit. I njëjti futbollistë vazhdoi me shoun e tij në këtë ndeshje, teksa në minutën e 24-të shënoi për 4:0.

Golin debutues me fanellën e Struga Trim Lum në këtë ndeshje e gjeti edhe përforcimi më i fundit i skuadrës tonë, Daniel Kehinde, që në minutën e 32-të shënoi edhe golin e 5-të në rrjetën e skuadrës nga Valandova.

Megjithatë këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë pjesës së parë, pasi deri në fund Altin Aliji dhe Florian Roçi shtuan edhe dy gola të tjerë, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me shifrat 7:0.

Ky rezultat bëri që fillimi i pjesës së dytë të mos jetë edhe shumë eksploziv, ndërsa golin e parë në këtë pjesë e gjetëm pas 12 minutave të kaluara, kur Arbi Vosha shënoi një super gol për rezultat 8:0. Pas këtij goli, një pakujdesi në mbrojtje, bëri që Pobeda e Valandovës të shënoj golin e parë në këtë përballje, aty ku deri në fund registruam edhe dy gola të tjerë, që të dy në rrjetën e skuadrës kundërshtare.

Talenti 16-vjeçar Agon Demiri, debutimin e tij në ndeshjet e Kupës e kurorëzoi me golin e parë për ekipin senior të Struga Trim Lum, ndërsa ndeshjen ndaj Pobedës nga Valandova do ta mbajë mend për mirë edhe sulmuesi nigerian, Daniel Kehinde Akinlosotu, që arriti të shënojë dy gola, nga një në secilën pjesë.

Pikërisht goli i tij në minutën e 79-të, ishte i fundit i këtij takimi, që rezultoi të jetë shumë pozitiv për 4 futbollistët tanë të rinj, Florian Roçi (19 vjeç), Agon Demiri (16 vjeç), Altin Aliji (20 vjeç) dhe Daniel Kehinde (20 vjeç), që shënuan golat debutues me fanellën e Struga Trim Lum.

Pas këtij takimi, ekipi ka në dispozicion edhe 4 ditë për tu përgatitur sa më mirë për ndeshjen e rradhës, atë kampionale kundër Sileksit në Strugë, që në program është me datë 7 shtator.

STRUGA TRIM LUM – POBEDA VALANDOVA 10:1

Autorë të golave: Florian Roçi (2’, 12’, 25’ 45’), Altin Aliji (3’, 41’), Daniel Kehinde (32’, 79’), Arbi Vosha (57’), Agon Demiri (65’)

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 300

Arbitër kryesor: Dimitar Leveski

FORMACIONI:

V. Vasilev, A. Vosha, E. Kola, E. Belica, B. Ramadani, A. Zendeli, A. Demiri, F. Roçi, D. Kehinde, A. Aliji, H. Agamah;

Trajner: Bledi Shkëmbi;