Bledi Shkëmbi komenton fitoren ndaj haraçinasve : Jam i kënaqur me skuadrën

Struga Trim Lum e nisi me fitore sezonin e ri 2026/27 në elitën e futbollit vendor. Fitorja 3:0 ndaj Shkëndijës së Haraçinës ka lënë të kënaqur edhe trajnerin Bledi Shkëmbi…

Struga Trim Lum mundi Shkëndijën e Haraçinës me shifrat 3:0 në ndeshjen hapëse të sezonit të ri futbollistik në elitën e futbollit vendor. Pavarësisht se kundërshtari ishte një debutues dhe nuk kishim ndonjë pasqyrë më të mirë rreth cilësive të tyre, gjërat në fushë shkuan mbarë, ndërsa kjo ka lënë të kënaqur edhe trajnerin, Bledi Shkëmbi.

“Jam i kënaqur me skuadrën. E dija që ndeshja e parë ka vështirësi dhe pavarësisht rezultatit, kundërshtari ishte një skuadër e mirë dhe e organizuar. Djemtë tanë u munduan të bëjnë më të mirën dhe kjo ishte më e rëndësishmja.” – u shpreh fillimisht trajneri Shkëmbi, që nuk dëshiroi të bëj dallime mes reparteve, nëse do të duhej të veçojë ndonjë prej tyre.

S’më pëlqen ti ndaj repartet, mendoj që si ndeshje e parë i bëm mirë detyrat në të gjitha fazat e lojës.” – deklaroi Shkëmbi, që gjithashtu kishte mbetur i kënaqur edhe me paraqitjen e futbollistëve debutues.

“Jam i kënaqur me debutuesit. Si ndeshje e parë, mendoj që bënë maksimumin. Pavarësiht këtij rezultati kemi shumë nevojë për përmirësim dhe për kompletimin e grupit.” – përfundoi Shkëmbi.

Dje kundër Shkëndijës së Haraçinës debutuan që të gjithë 5 përforcimet e verës. Portieri Andrej Jovçevski, mbrojtësi Landrit Rama dhe sulmuesi Hammond Agamah, e nisën ndeshjen si titullarë, derisa Egzon Belica dhe Amir Nuhija, në lojë u inkuadruan gjatë pjesës së dytë.

Vlen të theksohet, se Agamah doli të jetë një ndër autorët e golave, duke realizuar golin e dytë, dhe duke përfituar penaltinë e minutës së 52-të, të cilën në gol e shndërroi kapiteni, Bunjamin Shabani.