Bunjamin Shabani nesër kundër Shkëndijës së Haraçinës pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 200-të jubilare me fanellën e Struga Trim Lum në të gjitha garat…
Bunjamin Shabani është futbollisti më jetë gjatë te skuadra e Struga Trim Lum. Kumanovari të shtunën do të nis edhe sezonin e tij të 7-të me rradhë me fanellën e skuadrës tonë, që e bënë atë absolutisht futbollistin më besnik dhe me me shumë ndeshje të zhvilluara me Struga Trim Lum.
Plotë 167 ndeshje vetëm në Ligën e Parë, ndërsa të shtunën kundër Shkëndijës së Haraçinës, ai pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 200 jubilare me fanellën e Struga Trim Lum.

“Mund të them se është një nder për mua, është një kënaqësi që nuk e them dot. Të futesh në historinë e një klubi nuk është edhe aq e lehtë, mirëpo ja që po ndodh. Kjo tregon edhe besnikërinë, por edhe respektin e ndërsjellë që kemi mes nesh. Sinqerisht unë këtu në Strugë ndjehem si në shtëpinë time. Shpresoj që këtë jubile ta kurorëzojmë me fitore në ndeshjen e nesërme” – u shpreh Bunjamin Shabani, që vazhdoi të flas konkretisht për kundërshtarin e nesërm, Shkëndijën e Haraçinës.
“Si çdo ndeshje, ashtu edhe ndeshje me Shkëndijën e Haraçinës është shumë e rëndësishme për ne, sidomos nëse kemi parasysh se është edhe fillimi i kampionatit. Kemi punuar shumë në këtë fazë përgatitore dhe mendoj se të gatshëm po presim startin e sezonit.” – u shpreh Bunjamin Shabani, që ka repsekt maksimal për Shkëndijën e Haraçinës, pavarësisht se kjo skuadër vjen si debutuese në Ligën e Parë.

“Shkëndija e Haraçinës edhe pse vjen si debutues këtë vit në Ligën e Parë, ata kanë qenë shumë aktiv në merkato, duke transferuar disa futbollistë mjaft cilësor. Është një skuadër që meriton respekt. Normalisht se neve i kemi analizuar ata si skuadër, ashtu që nesër duhet të japim më të mirën në terren për te filluar kampionatin ashtu siç dëshirojmë.” – deklaroi Shabani, që si një lider i Struga Trim Lum, foli edhe për ambiciet e klubit tonë në sezonin 2026/27.
“Ambiciet e klubit janë të qarta, vendet e para në tabelë, përmes të cilave do të kapim Europën. Në skuadër kanë arritur edhe lojtar të rinj, gjithë se bashku kemi punuar shumë gjatë fazës përgatitore, ashtu që si një skuadër me përvojë dhe serioze, do i marrim ndeshjet një nga një, dhe se në secilën ndeshje do bëjmë maksimumin për të arritur në fund objektivat që kemi paraparë.” – theksoi kapiteni i skuadrës, që gjithashtu foli rreth adaptimit të prurjeve të reja në skuadër.
“Normalisht se neve si skuadër jemi munduar që t’ua bëjmë sa më të lehtë adaptimin. Mendoj se në një ambient siç është FC Struga Trim Lum, është shumë e lehtë të adaptohesh, pasi këtu ke përkrahjen e të gjithëve, si nga drejtuesit e klubit, stafi teknik, lojtarët, pjesa e PR-it, ekonomi, madje edhe nga qytetarët e Strugës. Mendoj se të gjithë janë adaptuar mirë si me qytetin, ashtu edhe me skuadrën, duke ngritur nivelin në vazhdimësi, ashtu që edhe ata të gatshëm presin fillimin e kampionatit.” – deklaroi Shabani, i cili deri më tani me fanellën e Struga Trim Lum ka zhvilluar plotë 167 ndeshje në Ligën e Parë, 18 në ndeshjet e Kupës së Maqedonisë, 10 në eliminatoret e Ligës së Konferencës dhe 4 në eliminatoret e Ligës së Kampionëve.


















