Shkupjani Amir Nuhija është përforcimi i parë i Struga Trim Lum për sezonin 2026/27…
Amir Nuhija vjen nga rradhët e Shkëndijës së Haraçinës, aty ku arriti që të tregoj gjithë potencialin dhe talentin që posedon ky futbollistë. Pavarësisht moshës së re (21 vjeç), Nuhija te Shkëndija e Haraçinës doli të jetë një lider i ekipit, duke qenë një ndër më të merituarit për inkuadrimin e skuadrës shkupjane në Ligën e Parë.
Cilësitë, zgjuarsia, grinda që posedon ky futbollistë, e bënë atë të kompletuar dhe të gatshëm për hapin e rradhës në karrierë, duke hedhur firmën me Struga Trim Lum.
“Jam shumë i lumtur me këtë transferim. Mund të them se është një hap shumë i rëndësishëm në karrierën time. Premtoj se do të jap maksimumin për ekipin dhe së bashku të arrijmë qëllimet që kemi” – u shpreh Amir Nuhija.

- Por si erdhi deri te ky transferim, çfarë e bindi atë për ti thënë “PO”, Struga Trim Lum...?
“Transferimi erdhi pas bisedimeve me drejtuesit e klubit. Që në moment të parë kur u takuam vërejta sinqeritetin e tyre, dëshirën për tu bashkuar. Ishin ato përshtypjet e mia të para dhe që thash me vetëveten jam para njerëzve të duhur, para klubit të duhur. Përveç këtij fakti, më pëlqeu gjithashtu edhe projekti dhe ambiciet e klubit për suksese të reja. Duke pasur parasysh se i dua sfidat, pranova që të sfidoj veten në një klub mirë të organizuar, ashtu që besoj se besimin që treguan ndaj meje, do ua shpërblejë me paraqitje të mira në fushën e blertë” – vijoi Nuhija, që vlerësoi lartë edhe mikëpritjen e bërë këtu në Strugë.
“Vërtetë jam shumë i kënaqur me mikëpritjen që mu bë këtu në Strugë, me kushtet që gjeta këtu dhe njerëzit që takova. Besoj se do të përshtatem shpejtë me ekipin, dhe se do të jap maksimumin nga vetja për të qenë produktiv për ekipin” – tha Nuhija.
Struga Trim Lum dhe Amir Nuhija u dakorduan për një marrëveshje 3-vjeçare, ndërsa firmën e tij 21-vjeçari e vendosi nën prezencën e Drejtorit Sportiv, Besart Isaku.



















