LPFMV, java 33 | KF ARSIMI – STRUGA TRIM LUM 1:0

Sezonin 2025/26 e mbyllëm me disfatë, pasi u mundëm minimalisht 1:0 në transfertën në Gostivar nga Arsimi…

Me ndeshjen kundër KF Arsimit në transfertë, edhe zyrtarisht mbyllëm sezonin 2025/26. Pavarësisht disfatës 1:0, Struga Trim Lum e mbylli sezonin në pozitën e tretë, duke përsëritur suksesin e sezonit 2020/21. Mirëpo për  dallim nga atëherë, kur neve për herë të parë siguruam një vend për në garat europiane, këtë herë nuk i’a arritëm qëllimit, kjo si pasojë se Maqedonia e Veriut këtë vit në Europë do të prezantohet me vetëm 3 skuadra.

NDESHJA

Ndeshja në Gostivar doli të jetë e barazpeshuar, me të dyja skuadrat që ishin shumë të vëmendshme, duke bërë që loja të përqëndrohet në mesfushë, aty ku neve kishim një dominim të lehtë, kjo falë edhe përvojës së futbollistëve tanë.

Në saje të një loje të tillë, tentativën e parë më serioze në drejtim të portës kundërshtare e regjistrojmë në minutën e 20-të, kur Adrian Zendeli tentoi me një gjuajtje nga distanca, por në vendin e duhur ishte portieri i ekipit vendas.

Deri në fund të pjesës së parë, skuadra tentoi edhe përmes Maleskit për të shënuar në rrjetën e KF Arsimit, mirëpo pa sukses.

Kështu, pjesa e parë mbyllet pa gola, ndërsa që në aksionin e parë në pjesën e dytë, KF Arsimi shënoi golin e epërsisë, që ishte pjesë e Armin Beshagiç.

Maleski sërish ishte figura kryesore në sulm, teksa i njëjti në minutën e 52-të nuk doli të jetë preciz në tentativën për të barazuar shifrat.

Maleski tentoi edhe 10 minuta më vonë, mirëpo këtë herë e tradhtoi e majta e tij, që doli të jetë jo precize.

Në minutën e 64-të, Pape Fall harkoi nga e majta, duke gjetur në zonë Marjan Radeskin, goditjen e të cilit me kokë e ndali portieri Siljanovski. Vetëm një minutë më pas, Maleski mjaft mirë pranoi një top në zonën kundërshtare, mirëpo në momentin final u ngatërrua dhe nuk arriti të mposht portierin e vendasve.

Maleski më në fund gjeti rrjetën e KF Arsimit, mirëpo goli i të njëjtit u anulua, pas devijimit të portierit Siljanovski, që paraprakisht kishte ndalur goditjen e Marjan Radeskit.

Sulmuesi ynë, autori i 16 golave këtë edicion, Hristijan Maleski, tentoi për të shënuar edhe në minutën e fundit të takimit, mirëpo sërish mungoi preciziteti nga ana e tij, ashtu që në fund, Struga Trim Lum pësoi disfatë 1:0 në këtë udhëtim ndaj KF Arsimit, ndaj së cilës skuadër në dy ndeshjet e para të këtij sezoni kishim shënuar fitore.

KF ARSIMI – STRUGA TRIM LUM 1:0

Stadiumi i qytetit: Gostivar

Shikues: 1500

Arbitër kryesor: Aleksandar Vasilevski

Kartonë të verdhë: Ardian Zendeli, Alban Roçi

FORMACIONI:

M. Angeletti, A. Roçi, G. Mici, P. Fall (V. Koçoski 71’), M. Hamza, A. Zendeli (K. Mazuluksis 71’), B. Bojku, F. Roçi (B. Ilievski 46’), B. Shabani (S. Jevtoski 60’), M. Radeski, H. Maleski;

Trajner: Bledi SHKËMBI;