Fitore 2:0 në transfertën ndaj Pelisterit në Manastir, aty ku vazhdojmë të mos njohim disfatë…
Struga Trim Lum hyn në pushimin e fundit ndërkombëtar të sezonit me tre pikë të reja duke shënuar fitore 2:0 në transfertën ndaj Pelisterit në Manastir.
Struga Trim Lum luftoi për të krijuar raste, dhe akoma më shumë për t’i shndërruar ato në gola, derisa i’a arritëm qëllimit në dy raste.
Fillimisht në fundin e pjesës së parë kur Marjan Radeski shënoi me kokë për rezultat 1:0, ndërsa në minutën e 87-të Hristijan Maleski i dha goditjen e fundit Pelisterit, skuadër kjo që na rrezikoi vetëm në pjesën e dytë.

RAPORTI I NDESHJES
Ndeshja nisi me vonesë prej 12 minutash, kjo për shkak mosprezencës së ambulancës. Me të arritur, ndeshja nisi dhe që në start skuadra jonë arriti që të vendos kontroll mbi lojën, duke mos i dhënë fare hapësira kundërshtarit.
Më së miri për këtë flet edhe fakti se brenda 45 minutave të para Pelisteri nuk gjeti asnjëherë hapësirë për të goditur portën tonë.
Bojan Ilievski mjaft bukur depërtoi nga krahu i djathtë, duke arritur që të harkojë brenda zonës, aty ku portieri vendas, Jovçevski arriti që të grushtojë dhe të devijojë topin në rivënie nga këndi para sulmuesit Compaore.
E gjithë kjo ndodhi në minutën e 11-të, ndërsa vetëm pas 60 sekondave lojë Besmir Bojku tentoi me një goditje nga distanca, mirëpo pa arritur që të rrezikojë portierin Jovçevski.
Në minutën e 22-të Lassana Diako tentoi nga distanca, mirëpo sërish në vendin e duhur ishte portieri Jovçevski.
Radeski në minutën e 28-të u kanos për herë të parë në këtë ndeshje, mirëpo topi përfundoi për disa centimetra skaj shtyllës.
Pas gjithë këtyre rasteve të humbura, i rradhës që u kanos, ishte Compaore, që në rastin e parë tentoi me kokë, e më pas edhe me të djathtën e tij, por pa arritur qëllimin.
Dominimin gjatë pjesës së parë e kurorëzuam me gol në fundin e pjesës së parë, kur Marjan Radeski me kokë shënoi një gol të bukur, pas harkimit të Voshës nga krahu i djathtë.

Fillimi i pjesës së dytë nisi me një zëvendësim. Në vend të Lassana Diako, në lojë u inkuadrua greku Kyriakos Mazuluksis, ndërsa i pari që u kanos në këtë pjesë, ishet Compaore, mirëpo goditja e tij ishte shumë e plogzhët dhe nuk paraqiste asnjë problem për portierin vendas.
Pas një aksioni të gjatë në minutën e 52-të, Compaore fitoi një top në zonën kundërshtare, që më pas të kombinojë me Voshën, goditjen e të cilit, portieri Jovçevski e largoi nga vija e fundit e golit.
Dyshja Vosha dhe Compaore u shfaqën të rrezikshëm edhe në aksionin e rradhës, por goditja me kokë e goleadorit tonë përfundoi vetëm mbi portë.
Në minutën e 62-të, Radeski ishte shumë pranë golit të dytë personal, mirëpo këtë herë shtylla i mohoi festën.
Vetëm një minutë më pas Pape Fall në tentativë për të pastruar rrezikun para portës tonë, shumë pak mungonte që të shënonte një autogol, mirëpo në vendin e duhur ishte Angeletti, që devijoi topin në rivënie nga këndi, pas së cilës Pelisteri shënoi përmes kapitenit Ivanovski, mirëpo goli u anulua për shkak pozicionit jashtëloje.
10 minuta më vonë, falë intervenimit të shkëlqyer të Angelettit, rezultati ende ishte në favorin e skuadrës tonë, që më pas rrezikoi në tre raste të njëpasnjëshme, edhe atë në dy raste me Maleskin, që në tentativën e tij të parë nuk arriti që të shtynte topin në rrjetën e Jovçevskit, i cili në minutën e 77-të luajti rolin e heroit të skuadrës vendase, kur nga afërsia ndali tentativën e dytë të Maleskit, pasi i njëjti vetëm dz minuta më parë ishte inkuadruar në lojë.
Struga Trim Lum vazhdoi të sulmoj, teksa në minutën e 79-të gjetëm golin me anë të Compaore, që me mjaft mjeshtëri u lirua nga dy futbollistë kundërshtarë, e më pas edhe nga portieri vendas, për të tundur sërish rrjetën e manastirasve, mirëpo pas rishikimit në VAR, arbitri Ilijovski anuloi golin e sulmuesit nga Burkina Faso, për shkak të një ndërhyrje të palejuar nga futbollistit vendas, Stefan Spirovski.
Megjithatë, goli i dytë erdhi në minutën e 87-të, këtë herë me Maleskin, që pas kombinimit të dyfishtë me Stefan Jevtoskin, nga brendia e zonës me të majtën e tij shënoi për 2:0, që në fund u tregua edhe si rezultati përfundimtarë i këtij takimi.
RENDITJA NË TABELËN E KLASIFIKIMIT
Ishte kjo fitorja e 8-të në 10 ndeshjet e fundit për Struga Trim Lum në përballjet ndaj Pelisterit, pas së cilës sërish jemi në garë për titullin e kampionit.
Pas 24 xhirove, Struga Trim Lum numëron 53 pikë, 5 më pak se dy skuadrat kryesuese, Vardari dhe Shkëndija.

PELISTERI – STRUGA TRIM LUM 0:2 (0:1)
Autorë të golave: Marjan Radeski 45’, Hristijan Maleski 87’
Stadiumi “Petar Milloshevski” – Manastir
Shikues: 700
Arbitër kryesor: Vlatko Ilijovski
Kartonë të verdhë: B.Ilievski, B.Shabani,
FORMACIONI:
M. Angeletti, B. Ilievski, P. Fall, L. Diako (K. Mazuluksis 46’), M. Hamza, A.Vosha (G. Mici 75’), B. Bojku, B. Shabani, S. Jevtoski (A. Roçi 88’), B. Compaore (A. Zendeli 90+4’), M. Radeski (H. Maleski 75’);
Trajner: Bledi Shkëmbi;


















