Struga Trim Lum është eliminuar nga garat e Kupës, pasi në çerekfinale u mundëm përmes penaltive nga Shkëndija e Tetovës. Edhe pse në dy raste ishim në epërsi, madje edhe deri në minutën e 96-të, në fund penaltitë vendosën fatin tonë…
Edhe pse ishim shumë pranë që për herë të 5-të në histori të sigurojmë një vend për në ndeshjet gjysmëfinale, një gol i pranuar në minutën e 90+6 na mohoi një gjë të tillë.
Kur të gjithë të pranishmit në stadium prisnin fërshëllimën e fundit të arbitrit Fatmir Bafto, Shkëndija përmes një ndërprerje na ndëshkoi me një gol të shënuar në minutat shtesë, duke bërë që ndeshja të mbyllet me barazimin 2:2 dhe penaltitë të vendosin udhëtuesin e fundit për në gjysmëfinale.
I vetmi që gaboi në ruletin e penaltive ishte Stefan Jevtoski, ndërsa në anën tjetër futbollistët e Shkëndijës ishin të pagabueshëm dhe me rezultatin 5:4 në fund dolën fitues të takimit, në të cilin neve në dy raste ishim në avantazh.
RAPORTI I NDESHJES
Ndeshja nisi me matjen e forcave dhe me mjaft qetësi, të cilën qetësi e prishi zhurma e traverzës në minutën e 12-të, që nuk lejoi gëzimin e Gledi Micit, që shumë pak mungonte të shënonte një nga golat më të bukur të karrierës.
Megjithatë ky rast i pakurorëzuar me gol, paralajmëroi golin e Marjan Radeskit që erdhi vetëm pas 60 sekondave.
Sulmuesi korpulent mjaft mirë shfrytëzoi pasimin e Pape Fall nga e majta, duke realizuar golin numër 6 në ndeshjet përballë Shkëndijës si pjesë e Struga Trim Lum.
Pas këtij goli pasoi një lojë e qetë dhe shumë e vëmendshme nga të dyja skuadrat, me dy gjysmëraste që erdhën në fundin e pjesës së parë.
Në minutën e 38-të Hamza pasoi për Compaoren pak para zonës kundërshtare, mirëpo i njëjti nuk është se reagoi mirë, duke mos vënë në rrezik portierin mysafir. Në momentet e fundit të pjesës së parë, Hamza dhe Ilievski mjaft mirë kombinuan nga krahu i djathtë, me Ilievskin që harkon në shtyllën e parë, mirëpo para Compaore reagoi portieri kundërshtarë Gaye që nuk lejoi gëzimin e sulmuesit tonë nga Burkina Faso.
Edhe pjesën e dytë e nisëm me forca të njëjta, për dallim nga kundërshtari që reagoi duke inkuadruar dy futbollistë të rinjë në fushë. Megjithatë një dëmtim i Bojan Ilievskit bëri që trajneri Shkëmbi të bëjë një zëvendësim të detyrueshëm në minutën e 51-të, kur në lojë inkuadroi Arbi Voshën.
Kështu, skuadra vazhdoi të jetë aktive nga krahu i djathtë, aty ku në minutën e 56-të, Shabani rrezikoi portën e mysafirëve, mirëpo e majta e tij u lexua mirë nga portieri Gaye, që shpëtoi Shkëndijën në ato momente edhe nga goli i dytë.
Në vazhdim të aksionit, ekipi përfitoi një goditje nga këndi, pas së cilës Fall tentoi me kokë, mirëpo goditja e tij përfundoi vetëm në rivënie fundore.
Në minutën e 60-të ekzekutuam edhe një rivënie tjetër, tashmë nga ana e kundërt, topi arriti deri te Hamza, goditja e të cilit u devijua sërish në rivënie nga këndi.
Dhe sërish fotografi e njëjtë, me Hamzan, që këtë herë tentoi nga një distancë më e largët, mirëpo duke mos e vënë në shumë vështirësi portierin Gaye, që ishte në vendin e duhur.
Në minutën e 72-të, Pape Fall ishte në pozitë për të rrezikuar portën mysafire, mirëpo goditja e tij përfundoi vetëm mbi portë, edhe pse i njëjti kishte edhe zgjidhje tjetër, dhe mund të pasonte aty pranë golit për Compaoren.
Pas këtyre rasteve të pashfrytëzuara nga ana jonë, Shkëndija na ndëshkoi në minutën e 74-të me anë të rezervistit Besart Ibraimi, golin e të cilit duheshe ta konfirmojë dhoma VAR.
Megjithatë Struga Trim Lum reagoi shumë qetë pas këtij goli dhe me një eurogol të vërtetë të shënuar nga Memetriza Hamza nga gjuajtja e lirë, në minutën e 82-të arritëm të rikthejmë sërish epërsinë, që ishte valide deri në minutën e 90+6, kur mysafirët nga Tetova arritën që të barazojnë shifrat me anë të mbrojtësit Imran Fetahi, pas një tollovie në zonën e 5-metërshit të portierit Angeletti.
Kështu, ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 2:2, ashtu që penaltitë ishin ata që do të vendosnin udhëtuesin për në gjysmëfinale.
RULETI I PENALTIVE
Penaltitë nuk na buzëqeshën, pasi këtu dështuam me shifrat 5:4 dhe me Shkëndijën që u kualifikua për në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 7:6.
Ishim neve të parët që ekzekutuam penaltinë e parë me anë të Compaore, që nuk gaboi dhe shënoi për 1:0. Kundërpërgjigjja erdhi me anë të Besart Ibraimit, pavarësishts e portieri ynë Angeletti i kishte lexuar anën kapitenit të skuadrës kundërshtare.
Pranë topit në serinë e dytë ishte Memetriza Hamza, që doli të jetë i saktë, mirëpo neve gabuam në serinë e tretë, kur Stefan Jevtoski goditi vetëm mbi trahun e portës së Gaye. Në anën tjetër golat e Krasniqit dhe Latifit, bënë që Shkëndija të marrë epërsinë 2:3, ashtu që pavarësisht finalizimeve të sakta të Hristijan Maleskit dhe Besmir Bojkut, në fund pësuam disfatë 5:4, pasi të saktë në anën tjetër dolën të jenë edhe Trumçi dhe Spahiu, me këtë të fundit që ekzekutoi goditjen e fundit.
KUPA E MAQEDONISË, ¼ E FINALES
STRUGA TRIM LUM – SHKËNDIJA 2:2 (4:5 penalti)
Autorë të golave: M. Radeski 13’, M. Hamza 82’
Ekzekutuesit e penaltive: B. Compaore✅, M. Hamza✅, S. Jevtoski❌, H. Maleski✅, B. Bojku✅
Stadiumi i qytetit: Strugë
Shikues: 500
Arbitër kryesor: Fatmir Bafto
Kartonë të verdhë:
FORMACIONI:
M. Angeletti, B. Ilievski (A. Vosha 51’), L. Diako, G. Mici, P. Fall, S. Jevtoski, M. Hamza, B. Bojku, B. Shabani (H. Maleski 87’), B. Compaore, M. Radeski (K. Mazulaksis 69’);
Trajner: Bledi Shkëmbi;


















