Bunjamin Shabani flet para ndeshjes me Shkëndijën: Do donim që kjo të ishte ndeshja finale

Ndeshja e nesërme, njëherit pritet të jetë një reprizë e asaj çerekfinale të vitit 2021, kur përmes penaltive neve kishim avansuar tutje…

Pas dy fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat, në mes javë na pret një përballje tjetër shumë e rëndësishme, këtë herë në kuadër të Kupës. Kundërshtarë në fazën çerekfinale të Kupës do të kemi Shkëndijën.

Ndeshja e nesërme, njëherit pritet të jetë një reprizë e asaj çerekfinale të vitit 2021.

Kapiteni Bunjamin Shabani, thotë se do të doje që Struga Trim Lum dhe Shkëndija të takoheshin në finalen e madhe: “Do të donim që kjo ndeshje të ishte ndeshja finale, pasi besoj se do të krijohej një atmosferë shumë e mirë, por fatkeqësisht fati deshi që neve të takohemi në çerekfinale. Ndeshjet me Shkëndijën çdoherë kanë qenë mjaft interesante dhe të paqarta deri në fund, ashtu që mendoj se momente të veçanta mund të vendosin fatin e këtij takimi.”

  • Terreni vendas përparësi, apo…

“Terreni vendas mund të jetë ndoshta një përparësi e vogël, pasi e njohim terrenin, por nuk mendoj që luan rol në këtë fazë me një kundërshtarë si Shkëndija.”

  • Vitin e kaluar i eliminuam, mund ta përsërisim të njëjtin sukses…

“Çdo ndeshje është histori në vete. Vitin e kaluar ishim neve që i fituam dhe siguruam finalen. Normalisht që kemi kualitet dhe forcë, për të përsëritur një gjë të tillë, megjithatë duhet ta kemi parasysh se luajmë ndaj një ekipi kualitativ, ashtu që duhet të jemi shumë të disciplinuar në lojë, për të arritur qëllimin në fund.”

  • Në ndeshjet e Kupës nuk njohim disfatë ndaj Shkëndijës…

“Kundër Shkëndijës deri më tani kemi ecur mbarë, sidomos në ndeshjet e Kupës, aty ku nuk njohim disfatë. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm edhe këtë vit. Thash edhe më herët kemi ekip kualitativ, por duhet të bëjmë një ndeshje pa gabime, të jemi shumë të disciplinuar, pasi ndeshje të këtilla, sidomos kur luhet vetëm një ndeshje, një moment mund ta vendos fatin e takimit.”

  • Dita e nesërme le të jetë festë futbolli…

“Mendoj se nesër duhet të jetë festë futbolli në Strugë, me sa më shumë tifoz në tribuna, pasi futbolli e dimë që luhet për tifozët. Shpresojmë që të bëhet një atmosferë shumë e mirë dhe në fund të fitoj futbolli.”