LPFMV, java 23 | STRUGA TRIM LUM – MAKEDONIJA GJ.P 3:0

Fitore 3:0 e realizuar vetëm brenda 45 minutave të para kundër Makedonija GJ.P. Ishte kjo fitorja e 6-të e njëpasnjëshme ndaj këtij kundërshtari në ndeshjet kampionale…

Struga Trim Lum ka regjistruar edhe fitoren e 6-të rradhazi ndaj Makedonija GJ.P në ndeshjet kampionale. Në takimin e vlefshëm të javës së 23-të, djemtë tanë shënuan fitore 3:0, me të tre golat që u shënuan vetëm në pjesën e parë.

Memetriza Hamza hapi serinë e golave me një goditje të fuqishme nga jashtë 16-të metërshit që në minutën e 7-të, që më pas Besmir Bojku të shënojë një super gol me të djathtën e tij, duke dërguar topin në këndin lartë, aty ku portieri kundërshtarë e përcolli vetëm me një shikim të ftohtë.

Goli i tretë erdhi 5 minuta para fundit të pjesës së parë, kur Stefan Jevtoski shfrytëzoi në maksimum pasimin e Voshës dhe nga afërsia mposhti edhe për herë të tretë portierin kundërshtarë.

RAPORTI I NDESHJES

Ndeshja nisi me një rast të qindtpërqindtë për Compaoren, i cili nuk arriti të ndëshkojë devijimin e topit nga portieri Jankov, që ishte me fat, pasi goditjen e sulmuesit tonë e ndali më pas mbrojtësi kolumbian Perez, duke mos lejuar epërsinë e hershme.

Megjithatë e njëjta erdhi vetëm pas 7 minutave lojë, kur Memetriza Hamza me një goditje të fuqishme nga jashtëzonës arriti që të mposhtë portierin Jankov.

Ky gol solli siguri dhe qetësi në lojën tonë, gjë kjo që ndikoi që skuadra të marrë në tërësi kontrollin e lojës, e ku si pasojë pas një aksioni të shpejtë në minutën e 26-të përmes Besmir Bojkut shënuam edhe golin e dytë.

5 minuta më vonë Stefan Jevtoski tentoi nga gjuajtja e lirë, mirëpo shtylla pingule shpëtoi portierin mysafir, Jankov.

Në minutën e 39-të Shabani dhe Hamza kombinojnë pranë rivënies nga këndi, ndërsa pas harkimit në zonën kundërshtare, Compaore tentoi me kokë, mirëpo pa arritur qëllimin për të shënuar.

Megjithatë, goli erdhi vetëm një minutë më vonë, kur Stefan Jevtoski pasi pranoi një top në afërsi nga Arbi Vosha, me mjaft qetësi shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Jankov.

Me këtë gol u mbyllën 45 minutat e para, ndërsa edhe pjesa e dytë në tërësi foli për skuadrën tonë, që dominoi ndeshjen edhe në posedim të topit, por edhe me raste të krijuara, edhe pse në këtë pjesë goli mungoi.

Bunjamin Shabani ishte i pari që u kanos në këtë pjesë, mirëpo kapiteni ynë ishte në poyicion jashtë loje.

Rastin e parë më serioz e regjistrojmë në minutën e 53-të, kur Vosha goditi brenda kuadrantit, mirëpo këtë herë Jankov ishte në vendin e duhur. I rradhës që u kanos, ishte Compaore, mirëpo e majta e tij përfundoi për disa centimetra jashtë kuadrantit. Minuta e 57-të i mundësoi Jevtoskit për të shënuar sërish, mirëpo e tentativa e tij doli të jetë shumë e dobët, ndërsa në aksionin e rradhës edhe pse Maleski kishte një mundësi të mirë për të shënuar, i njëjti ndodhej në pozicion jashtëloje.

10 minuta më vonë, Radeski që në lojë u inkuadrua nga bankina, në pamundësi për të gjetur hapësirën e duhur drejt portës kundërshtare nga brendia e zonës, ktheu topin jashtë zonës për Bojkun, goditja e të cilit u devijua në rivënie nga këndi.  

Pape Fall në minutën e 71-të tentoi me të majtën e tij nga largësia, mirëpo vetëm jashtë kuadrantit.

Maleski edhe njëherë  tjetër tentoi të gjejë golin e parë në ndeshjet kampionale kundër Makedonija Gj.P, mirëpo tentativa e tij nga zona e rreptësisë përfundoi vetëm në rivënie fundore.

Edhe përkundër shumë tentativave për të shënuar, goli në këtë ndeshje mungoi edhe për Compaore, i cili në minutën e 80-të goditi vetëm mbi trahun e portës kundërshtare.

Ishte kjo fitorja e 6-të e njëpasnjëshme në duelet ndaj Makedonija GJ.P dhe e 7-ta në përgjithësi në 16 takimet e deritanishme kampionale, ku kemi regjistruar gjithashtu edhe 6 barazime dhe 3 disfata.

NDESHJA E RRADHËS

Ndeshjen e rradhës në kampionat do ta zhvillojmë me 22 mars në transfertën në Manastir ndaj Pelisterit, mirëpo paraprakisht me 18 mars do të zhvillojmë ndeshjen çerekfinale të Kupës kundër Shkëndijës së Tetovës.

STRUGA TRIM LUM – MAKEDONIJA GJ.P 3:0

Autorë të golave: Memetriza Hamza, 7’, Besmir Bojku 26’, Stefan Jevtoski 40’

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 500

Arbitër kryesor: Bllagoja Ralevski

Kartonë të verdhë: Arbi Vosha

FORMACIONI

M. Angeletti, L. Diako, K. Mazuluksis, P. Fall (G. Mici 84’), B. Bojku (J. Maudo 76’), S. Jevtoski (A. Zendeli 76’), B. Shabani (M. Radeski 61’), A. Vosha (A. Roçi 61’), M. Hamza, H. Maleski, B. Compaore;

Trajner: Bledi Shkëmbi;