Shorti deshi që në fazën çerekfinale të Kupës për kundërshtarë të kemi Shkëndijën nga Tetova…
Struga Trim Lum ka mësuar emrin e kundërshtarit për në fazën çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut. Goglat në këtë fazë na i servuan Shkëndijën nga Tetova, me të cilën skuadër jemi përballur edhe në të kaluarën.
Do të jetë kjo hera e tretë që do të luajmë ndaj kësaj skuadre në kuadër të ndeshjeve të Kupës dhe hera e dytë që do të përballemi në fazën çerekfinale.
Për herë të parë ishim takuar 1 dhjetorin e vitit 2021, kur kishim triumfuar në Tetovë përmes ruletit të penaltive, ndërsa deçizive kishte rezultuar edhe fitorja e 9 prillit të vitit të kaluar po në Tetovë (2:1), këtë herë në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës.

Kështu, pavarësisht barazimit 1:1 në ndeshjen kthyese në Strugë, neve u kualifikuam në finalen e madhe për herë të dytë në histori.
Finalja është synimi ynë edhe këtë vit, ndërsa gjithnjë nëse eliminojmë Shkëndijën e Tetovës, atëherë në gjysmëfinale do të përballemi me fituesin nga ndeshja midis Shkëndijës së Haraçinës dhe Rabotniçkit.
Ndryshe, ndeshjen çerekfinale kundër Shkëndijës së Tetovës do ta zhvillojmë me 25 shkurt në Strugë.


















