LPFMV, Java 16 | TIKVESHI – STRUGA TRIM LUM 0:1

Struga Trim Lum rikthehet me fitore nga transferta në Kavadar. Në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtorë, na mjaftoi goli i Memetriza Hamza…

Memetriza Hamza shënoi golin e tretë të këtij edicioni, ndërsa edhe ai i sotmi ndaj Tikveshit ishte një kryevepër nga ana e futbollistit tonë. Pas dy golave paraprak të shënuar nga gjuajtjet e lira, sot, Hamza shënoi me një parabolë, duke i siguruar tre pikë të rëndësishme skuadrës.

Ishte kjo fitorja e 6-të e njëpasnjëshme e Struga Trim Lum, me një gol-averazh impresionues prej 18:2, që tregon për formën e mirë të skuadrës.

Megjithatë, këtu është fundi i pjesës së parë të sezonit 2025/26, të cilin e mbyllim si nënkampion me 41 pikë, vetëm 1 pikë më pak se lideri, Vardari.

Ndryshe në 16 ndeshje të zhvilluara, Struga Trim Lum, regjistroi 13 fitore, 2 barazime dhe vetëm një disfatë.

PJESA E PARË

Pjesa e parë nisi me inciativën e skuadrës tonë, që rrezikoi shumë seriozisht portën vendase që në minutën e 9-të, kur Ilievski me kokë ktheu topin deri te Maudo, i cili goditi nga afërsia, ndërsa edhe pse topi kishte kaluar vijën fatale, nuk kishte reagim as nga arbitri kryesor, por as nga dhoma VAR. Ilievski vetëm pak më vonë u shfaq i rrezikshëm sërish para portës kundërshtare, mirëpo këtë herë goditja e tij përfundoi drejt në duart e portierit Tasev.

Në minutën e 21-të, ishte Besmir Bojku, ai që tentoi nga një distancë e largët, por vetëm skaj portës kundërshtare. Nuk vonoi shumë dhe në skenë doli sulmuesi Marjan Radeski, që u kanos me kokë pas ekzekutimit të rivënies nga këndi të Stefan Jevtoskit. Ky i fundit në minutën e 26-të morri guximin për të goditur nga distanca, mirëpo pa shqetësuar portierin kundërshtarë, Tasev.  

Në minutën e 30-të, regjistrojmë një super aksion mes treshes, Shabani-Radeski-Maleski, mirëpo goditja e tij u bllokua nga Mojsov dhe topi përfundon në rivënie nga këndi.

Pas gjithë këtyre rasteve në minutën e 36-të, më në fund gjetëm rrugën e duhur drejt portës së Tikveshit.

Ishte kapiteni Bunjamin Shabani, ai i cili doli në një pozitë të favorshme për të shënuar, mirëpo i njëjti u ndal nga portieri vendas Tasev, që në ato momente me intervenimin e tij vetëm kishte devijuar topin deri te këmbët e Memetriza Hamza, i cili me një mjeshtëri shumë të madhe, duke paraboluar portierin dhe dy futbollistë kundërshtarë, shënoi për 1:0.

Deri në mbyllje të pjesës së parë tentuam edhe dy herë të tjera për të gjetur golin, mirëpo në të dyja rastet, Maleski nuk arriti që të vazhdojë serinë e golave.

PJESA E DYTË

Kështu i njëjti u pushua nga trajneri Bledi Shkëmbi në fillimin e pjesës së dytë, duke i lënë vendin Arbi Voshës.

I njëjti ishte shumë aktiv nga krahu i majtë, mirëpo terreni në këtë pjesë ishte edhe më i vështirë për lojë, ndërsa kjo ndikoi edhe në mungesën e rasteve konkrete.

I pari që u kanos në këtë pjesë ishte Radeski, kur sërish u veçua në shtyllën e parë për të goditur me kokë, mirëpo pa arritur që të gjejë këndin e duhur.

Në minutën e 58-të, Jevtoski tentoi direkt nga një goditje e lirë nga krahu i majtë, mirëpo tentativa e tij për të mashtruar portierin që në ato momente priste një harkim brenda zonës së tij, doli të jetë e pasuksesshme.

I fundit që u kanos për të prekur sërish rrjetën e vendasve, ishte Vosha, mirëpo goditjen e tij e ndali portieri Tasev.

Në fund nga Kavadari u rikthyem me vetëm një gol të shënuar, mirëpo ajo që është më e rëndësishme, mbrojtja sërish doli të jetë në nivel me në krye portierin, Marco Angeletti, i cili për herë të 8-të mbajti rrjetën e tij të paprekur nga gjithsej 15 ndeshje që qëndronte në portë.

DEMISHKOSKI DEBUTOI ME EKIPIN E PARË

Ashtu sikurse në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Strugë, kur përballë Bashkimit debutoi sulmuesi Altin Aliji, sot në takimin kundër Tikveshit në Kavadar, trajneri Bledi Shkëmbi vendosi që shansin e tij t’ia jap edhe futbollistit 18-vjeçar, Tarik Demishkoski.

I njëjti debutoi fare në fund të takimit, kur morri vendin e golashënuesit të vetëm, Memetriza Hamza. Edhe Demishkoski është një futbollistë ofenziv, nga i cili presim shumë për të ardhmen.

TIKVESHI – STRUGA TRIM LUM 0:1

Autorë i golit: Memetriza Hamza 36’

Stadiumi i qytetit: Kavadar

Shikues: 200

Arbitër kryesor: Igor Stojçevski

Kartonë të verdhë: S. Jevtoski;

FORMACIONI:

M. Angeletti, B. Ilievski, J. Maudo, K. Mazuluksis, P. Fall, B. Bojku, S. Jevtoski (L. Diako 69’), B. Shabani (G.Mici 82’), M. Hamza (T. Demishoski 90+’), M. Radeski (B. Compaore 69’), H. Maleski (A. Vosha 46’);

Trajner: Bledi Shkëmbi;