KOMUNIKATË ZYRTARE, Lassana Diako futbollisti më i ri i Struga Trim Lum

Lassana Diako, do të jetë futbollisti i parë nga Franca që do të veshë fanellën e Struga Trim Lum…

Lassana Diako është emri më i ri që i është bashkuar skuadrës së Struga Trim Lum. 26-vjeçari, i lindur në Villejuif të Francës, por me origjinë nga Mali, pritet të jetë një forcë shtesë në mbrojtjen e skuadrës tonë për në sezonin e ri 2025/26.

Pikërisht te skuadra e qytetit të tij të lindjes, US Villejuif, Lassana kishte bërë hapat e parë në futbollin e seniorëve, për të vijuar më pas edhe në disa skuadra tjera franceze.

Ai edicionin e fundit ishte pjesë e skuadrës së Paris 13 Atl., skuadër kjo që garon në Ligën e Tretë franceze, ndryshe e njohur si Championnat National.

Diako, është një futbollistë që do ta dëshironte çdo trajner në futbollin modern, pasi i njëjti mund të luaj në më shumë pozita.

Pra një futbollistë polivalent, i cili pozitë të tij natyrale ka atë të qendërmbrojtësit, pozitë në të cilën ka zhvilluar më së shumti ndeshje gjatë karrierës së tij, gjithsej 41. Megjithatë, i njëjti mund të luaj edhe në krahët e mbrojtjes, djathtas apo majtas, ndërsa gjithashtu mund të luaj edhe si mesfushorë i fundit, mesfushorë qendre, por gjithashtu edhe mesfushorë krahu.

Një gjë të tillë, Diako dëshmoi edhe në disa nga ndeshjet kontrolluese që zhvilloi me skuadrën tonë, pas të cilave trajneri Shkëmbi dha dritën jeshile.

Kështu, gjatë ditës së sotme Lassana Diako në prezencë të Drejtorit Sportiv, Besart Isaku, firmosi kontratë një vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Mirë se erdhe në familjen e madhe të Struga Trim Lum, Lassana Diako.