Bojan Ilievski, Memetriza Hamza dhe Shaban Zenku janë thirrur për ndeshjet e nëntorit, për të qenë pjesë e përfaqësueseve futbollistike të vendit…
Treshja Ilievski, Hamza dhe Zenku do të bashkohen me ekipet përfaqësuese të vendit këtë javë, me ekipin A që po kërkon kualifikimin në Botërorin e vitit 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Pjesë e ekipit senior do të jetë sërish edhe lojtari ynë, Bojan Ilievski, i cili sot i është bashkuar ekipit që edhe zyrtarisht do të përgatitet për dy ndeshjet e nëntorit, atë miqësore kundër Letonisë në Shkup me 13 nëntor, dhe ndeshjen më të rëndësishme të këtij cikli eliminatorë, kundër Uellsit në Kardif, ndeshje kjo që në program është me datë 18 nëntor.
Aktualisht Maqedonia mban vendin e dytë në kuadër të grupit “J” para Uellsit, ashtu që me një fitore eventuale, “verdhekuqtë” do të siguronin të paktën balotazhin, përmes të cilit do të kërkonin një vend në Botërorin e vitit 2026.

Për dallim nga Ilievski, që është grumbulluar me ekipin A, dyshja tjetër e Struga Trim Lum, Shaban Zenku dhe Memetriza Hamza do të bashkohen me ekipin U21 të Maqedonisë, që udhëhiqet nga Goran Staniq.
Shpresat e vendit me datë 13 dhe 18 nëntor do të jenë nikoqir të dy skuadrave gjigande, Suedisë dhe Polonisë. Që të dyja ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin e Manastirit, qytetit të alfabetit shqip, që edhe njëherë tjetër do të mirëpret kombëtare me emër në futbollin europian.
Hamza, njëjtë sikurse edhe në ndeshjet paraprake, pritet të jetë titullarë në formacionin e trajnerit Staniq. Ai në dy ndeshjet e tetorit, kundër Armenisë dhe Malit të Zi, kontribuoi me nga një asist, një gjë që bëri edhe në fundjavë kundër KF Arsimit, ndërsa shansin e tij do ta mirëpret edhe Zenku, që deri më tani numëron 5 paraqitje me fanellën e shpresave të vendit.


















