Trajneri Shkëmbi jep opinionin e tij pas disfatës nga Shkëndija

Trajneri Bledi Shkëmbi ka komentuar takimin e djeshëm, në të cilin ekipi ynë pësoi disfatë 2:0 në transfertën në Tetovë përballë Shkëndijës…

Stinorin pranveror Struga Trim Lum e nisi me disfatë, mirëpo kjo gjë nuk e shqetëson trajnerin Bledi Shkëmbi, që beson se skuadra do të rikthehet shumë shpejtë në formën e duhur.

Ndeshja kundër Shkëndijës nuk dha sinjalet e duhura pas asaj faze përgatitore në Antalia të Turqisë, sidomos reparti i sulmit.

“Pjesa e parë ishte e barabartë, por sa i përket rrezikshmërisë së portës kundërshtare, ajo pjesë ishte e dobët”. – thotë trajneri Bledi Shkëmbi.

Sipas tij skuadra ka vuajtur edhe mungesën e dyshes titullare në mesfushë, Bunjamin Shabani dhe Stefan Jevtoski.

“Patjetër që mungesat ndikojnë, sepse reduktohet grupi i rëndësishëm i skuadrës. Nuk kishim rrezikshmëri në sulm dhe nga mesfusha nuk patëm atë rrjedhshmëri loje që kemi pasur”. – deklaroi Shkëmbi.

Edhe përkundër posedimit të topit dhe presionit në gjysmëfushën kundërshtare që ndodhën për gjatë 20 minutave të para, mungoi goli, madje edhe ndonjë goditje direkte brenda portës kundërshtare. Shkëmbi thotë edhe arsyejen:  “20 minutat e para patëm shumë goditje standarde, por në asnjë rast nuk arritëm të rrezikojmë. Lojtarët që i ekzekutuan i bënë në mënyrën më të keqe”.

Trajneri Shkëmbi foli me superlativa edhe për skuadrën kundërshtare.

“Merita meriton edhe kundërshtari, një skuadër shumë e kompletuar me lojtare shumë cilësor. Megjithatë jam i bindur që do të rikthehemi përsëri në formën tonë më të mirë”. – përfundoi intervistën trajneri Shkëmbi, nën drejtimin e të cilit skuadra pësoi disfatën e parë në ndeshjet në transfertë gjatë këtij edicioni.

Deri para ndeshjes në Tetovë, Struga Trim Lum numëronte 7 fitore dhe 1 barazim.