Struga Trim Lum startoi fazën e përgatitjeve në prag të stinorit pranveror

Struga Trim Lum edhe zyrtarisht sot ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror në elitën e futbollit vendor, aty ku do të futemi si nënkampion…

Nën urdhërat e trajnerit Bledi Shkëmbi, ekipi i Struga Trim Lum nisi fazën e përgatitjeve për stinorin pranveror në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Prezent në grumbullimin e parë të vitit 2026, ishin të gjithë futbollistët, me përjashtim të sulmuesit Bassirou Compaore, i cili skuadrës do ti bashkohet gjatë ditës së nesërme, kjo për shkak të anulimit të fluturimit me të cilin duheshe të udhëtojë nga Stambolli drejt Shkupit.

Pjesa tjetër ishte OK, dhe të njëjtit zhvilluan edhe seancën e parë stërvitore dhe të vetme të ditës së sotme. Nga nesër ekipi do të ketë nga dy seanca stërvitore, ndërsa me këtë ritëm do të punohet deri me datë 17 janar këtu në Strugë.

Brenda kësaj periudhe skuadra ka paraparë të zhvillojë edhe dy ndeshje kontrolluese në datat 10 dhe 14 janar, ndërsa nga 17 janari do të transferohet në Antalia në Turqisë, aty ku do të zhvillojmë edhe fazën kryesore të përgatitjeve.

Në tokën turke do të qëndrojmë deri me datë 31 janar, ndërsa tashmë kemi siguruar edhe 4 ndeshje kontrolluese me kundërshtarë të huaj. Pas rikthimit në Strugë, me datë 06 shkurt do të zhvillojmë edhe ndeshjen gjenerale kundër GFK Ohrid.

Stinori pranveror starton me datë 11 shkurt, ndërsa për kundërshtarë do të kemi Shkëndijën, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Tetovë.