STRUGA TRIM LUM-KF LLAPI, NDESHJE PARA SEZONALE

Struga Trim Lum ka zhvilluar edhe ndeshjen e katërt para sezonale. Për kundërshtarë këtë herë kishim skuadrën e njohur kosovare të KF Llapit…

Struga Trim Lum ka barazuar 1:1 kundër KF Llapit, skuadër kjo nga Superliga e Kosovës. Në këtë ndeshje ekipi i trajnerit Bledi Shkëmbi u paraqit dukshëm më mirë, kjo edhe për faktin se ishte ndeshja jonë e katërt para sezonale, përmes të cilave strategu nga Korça po lexon mirë formën e çdo futbollisti.

Një paraqitje tjetër e mirë e të riut Memetriza Hamza, që shënoi edhe golin e dytë në këto kontrolluese, pas atij ndaj skuadrës serbe të FK Trayal Krushevac.

Pikërisht Hamza ishte ai që shënoi dhe kurorëzoi lojën tonë të mira gjatë 45 minutave të para me gol në rrjetën e ekipit mysafir nga Kosova. Këtij goli i parapriu një aksion i bukur i tanëve, me francezin Lassana Diako, i cili mjaft mirë asistoi në golin e shënuar nga Memetriza Hamza.

Ishte ky goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para, ku ishim dëshmitarë të një loje të bukur të skuadrës tonë, që në fushë zbriti me këtë formacion: M. Angelleti, B. Ilievski, K. Mazoulouxis, P. Fall, G.Mici, M. Hamza, B. Shabani, B. Bojku, L. Diako, B. Compaore, M. Radeski;

Në pjesën e dytë trajneri Shkëmbi bëri disa ndryshime, duke inkuadruar në lojë edhe emra si Vosha, Roçi, Kasami, Maudo dhe Maleski.

Gjithë këta dhanë kontributin e duhur, duke zhvilluar edhe një pjesë të dytë të mirë, në të cilën për fat të keq nuk arritëm të gjejmë edhe ndonjë gol tjetër.

Në anën tjetër kundërshtari na ndëshkoi në minutën e 63-të, duke realizuar me anë të Ilir Blakçorit, gol ky që njëherit ishte edhe i fundit në këtë ndeshje të zhvilluar në stadiumin e qytetit në Strugë.

NDESHJET E DERITANISHME KONTROLLUESE

Ndeshja e sotme kundër KF Llapit ishte ndeshja e katërt e Struga Trim Lum në këtë fazë para sezonale dhe e dyta ndaj skuadrave kosovare, pas asaj ndaj Ballkanit. Pikërisht skuadra nga Suhareka ishte kundërshtari ynë i parë. Në atë ndeshje neve pësuam disfatë minimale 1:2, në një ndeshje kur kundërshtari zhvillonte gjeneralen para sfidave europiane.

Pasoi transferta në Manastir ndaj Pelisterit, në të cilën regjistruam fitore 3:1. Shaban Zenku, Edvin Osmani dhe Marjan Radeski (nga penaltia) ishin autorët e golave për skuadrën tonë.

Marjan Radeski nga penaltia shënoi edhe në ndeshjen e rradhës, atë kundër FK Trayal Krushevac, në të cilën ndeshje një gol shumë të bukur kishte realizuar edhe Memetriza Hamza.

Ky i fundit shënoi edhe sot përballë KF Llapit, duke dëshmuar një formë të mirë në prag të sezonit të ri në Ligën e Parë.

NDESHJET QË NA PRESIN

Deri në fund të fazës përgatitore për sezonin e ri 2025/26 na presin edhe dy ndeshje të tjera. Me datë 26 korrik do të përballemi me skuadrën e njohur shqiptare të KF Skënderbeut, aty te e cila skuadër trajneri jonë Bledi Shkëmbi kishte kaluar momentet më të mira të karrierës si futbollistë, e ku një kohë të gjatë mbante edhe shiritin e kapitenit.

Do të jetë kjo njëherit ndeshja e parafundit, derisa gjeneralen do ta zhvillojmë me datë 1 gusht kundër fqinjëve të GFK Ohrid.

Kujtojmë, sezoni i ri në Ligën e Parë Futbollistike të RMV-së starton me datë 8 gusht (e premte), derisa ndeshje do të ketë edhe me datat 9 dhe 10 gusht.

Do të jetë kjo hera e parë në histori që ndeshjet e Ligës së Parë do të zhvillohen në tre ditë të ndryshme.