Struga Trim Lum-AP Brera 2:4 | Disfata e parë në kampionat

Në xhiron e 10-të vjen edhe disfata e parë për Struga Trim Lum në kampionat. Kështu i vjen fund edhe serisë prej 10 ndeshjeve pa humbje të trajnerit tonë, Bledi Shkëmbi…

Asgjë nuk shkoi mirë sot për skuadrën tonë dhe sado e dhimbshme që të jetë, disfata 4:2 ndaj AP Brera pasqyron ndoshta edhe gjërat që ndodhën në fushën e blertë.

Mysafirët reaguan shumë shpejtë në këtë ndeshje, duke shënuar dy gola të hershëm. Vetëm pas 7 minutave lojë, AP Brera avansonte me shifrat 2:0.

Shaban Zenku riktheu në lojë skuadrën me golin e bukur të shënuar në minutën e 11-të, mirëpo sërish një lëshim në mbrojtje, bëri që AP Brera në minutën e 21-të, të rikthejë sërish epërsinë e dy golave.

Marjan Radeski në minutën e 32 tentoi me kokë në shtyllën e parë, ndërsa pak minuta më vonë, Gledi Mici tentoi me të majtën e tij nga një distancë e largët, mirëpo vetëm lartë mbi portë.

Në minutën e 39-të Radeski kombinoi në krahun e djathtë me Bojkun, i cili mjaft mirë gjeti brenda zonës kundërshtare Compaoren, goditja e të cilit me kokë nuk solli ndryshim të rezultatit.

Dy minuta më vonë, kur të gjithë prisnin harkim në zonën kundërshtare, Vosha tentoi të shënojë direkt nga gjuajtja e lirë, por portieri mysafir devijoi topin në rivënie nga këndi.

Momenti më i bukur i pjesës së parë ndodhi në minutën e saj të fundit, kur Besmir Bojku me të djathtën e tij shënoi një eurogol të vërtetë për të zbutur epërsinë e mysafirëve në vetëm një gol (2:3).

Pjesën e dytë trajneri Bledi Shkëmbi vendosi ta nis me tre zëvendësime, duke inkuadruar në lojë treshen sulmuese, Hristijan Maleski, Djordje Ivkoviç dhe Memetriza Hamza.

Megjithatë, kjo treshe nuk është se dha shumë impakt në lojën e skuadrës që pavarësisht dominimit dhe posedimit të topit në minutën e 61-të, sërish pësoi gol.

Pas një reagimi të dobët të mbrojtjes, Fahd Ndzengue. në ato momente shënoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për AP Brera.

Në minutën e 71-të Memetriza Hamza, tentoi nga gjuajtja e lirë, mirëpo topi përfundoi drejt në duart e portierit kundërshtarë.

Shumë afër golit të tretë në këtë takim ishim në minutën e 75-të, kur goditjen e Compaore nga vija fatale e largon njëri nga mbrojtësit e mysafirëve.

Fati na i ktheu shpinën edhe në aksionin e rradhës, kur Lassana Diako tentoi nga distanca, mirëpo topi për disa centimetra kalon për skaj shtyllës pingule.

Rastet para portës kundërshtare vijuan edhe në minutat në vazhdim, derisa në minutën e 79-të traverza i mohoi golin e 10-të sezonal sulmuesit, Bassirou Compaore. Në vijim të aksionit të njëjtë, mbrojtja vendase reagoi mjaft mirë pas goditjes së Ivkoviç, duke pastruar një gol të sigurtë nga vija fatale.

Compaore tentoi të shënojë edhe në minutën e 85-të, kur me kokë goditi drejt në duart e portierit të AP Brera. Një rast shumë të mirë para portës kundërshtare lëshoi edhe Pape Fall, kur në minutën e 86-të, tentoi të shënojë me kokë mirëpo në vendin e duhur sërish doli të jetë portieri mysafir. I fundit që tentoi në këtë ndeshje për të shënuar, ishte sërish Compaore, i cili sërish ishte i pafat, duke goditur për disa centimetra mbi portë.

Pavarësisht kësaj disfate, Struga Trim Lum vazhdon të mbajë pozitën e parë në renditje me 23 pikë, ndërsa kundërshtari ynë i rradhës në kampionat do të jetë, FC Shkupi (30.10).

STRUGA TRIM LUM – AP BRERA 2:4

Autorë të golave: Sh. Zenku 11’ B. Bojku 45

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 500

Arbitër kryesor: Nderim Tefiku

Kartonë të verdhë: Maudo

FORMACIONI:

I.Nikolloski, J. Maudo, G. Mici (Dj.Ivkoviç 46’), P. Fall, L. Diako, A. Vosha, Sh. Zenku (M. Hamza 46’), B. Bojku (K. Mazoulouxis 68’), B. Shabani, M. Radeski (H. Maleski 46’), B. Compaore;

Trajner: Bledi Shkëmbi