RAPORTI I NDESHJES | STRUGA TRIM LUM – BREGALLNICA 4:0

Struga Trim Lum ka regjistruar fitoren e tretë nga po aq ndeshje të zhvilluara në terren vendas gjatë këtij edicioni. Këtë herë ekipi ynë mundi Bregallnicën me shifrat 4:0, që njëherit ishte edhe fitorja më e thellë deri tani në ndeshjet kampionale…

Struga Trim Lum në kuadër të xhiros së 5-të regjistroi edhe fitoren e tretë në kampionat, duke mundur bindshëm 4:0 Bregallnicën e Shtipit. Edhe në këtë ndeshje në element doli të jetë sulmuesi Hristijan Maleski, që shënoi dy gola, ndërsa nga një gol tjetër shtuan edhe Hammond Agamah dhe Bunjamin Shabani.

Ishte Maleski që shënoi golin e parë të këtij takimi, duke konfirmuar njëherit edhe formën e shkëlqyer në të cilën ndodhet.

Maleski shënoi në minutën e 14-të, kur shfrytëzoi një tollovi para portës kundërshtare, që më pas me shumë qetësi nga një afërsi prej 6-7 metrash të mposhtë portierin Amir Jashar.

Ky gol erdhi mu në momentin e duhur për skuadrën tonë, që vazhdoi të zotëroj topin dhe të dominoj në posedimin e topit. Përkundër disa rasteve të mira para portës së Amir Jashar, goli mungoi gjatë pjesës së parë, që u mbyll me epërsinë tonë prej 1:0.

Maleski shënoi edhe golin e dytë, këtë herë vetëm pas 3 minutave të kaluara në pjesën e dytë. Kapiteni Shabani u gjend në krahun e djathtë në një duel me Rajkovin, ndërsa lojtari i Bregallnicës, në përpjekje për të evituar rrezikun, asistoi për Maleskin, i cili nuk fali dhe në ato momente shënoi për 2:0.

Pas këtij goli, Bregallnica u kanos me anë të Temelkov, por goditja e tij me kokë përfundoi vetëm jashtë kuadrantit të portës.

Ky gjysëm rasti i mysafirëve nga Shtipi, bëri që skuadra të reagoj shumë shpejtë, teksa teksa në minutën e 60-të shënuam edhe golin e tretë, që ishte pjesë e sulmuesit Hammond Agamah, që në lojë u inkuadrua nga bankina.

Sulmuesi francez, ishte me shumë fat, pasi arriti të shënoj ende pa kaluar 60 sekonda në fushë, kjo falë edhe mosmarrëveshjes së mbrojtjes me portierin Amir Jashar, ashtu që Agamah nuk e kishte fare të vështirë për të shënuar në portën e boshatisur.

Megjithatë, këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar nga ana e futbollistëve tanë. Në minutën e 75-të, një super pasim nga Besmir Bojku, bëri që Shabani të dalë i vetëm para portierit kundërshtarë, ndërsa kapiteni ynë nga një situatë e tillë nuk gaboi dhe arriti që të shënojë edhe golin e katërt për Struga Trim Lum dhe të dytin personal këtë edicion.

Deri në fund të takimit, skuadra prodhoi edhe dy raste tjera, e ku vlen të përmenden ato të Hristijan Maleskit, që në këtë mënyrë humbi mundësinë për të regjistruar “tripletën” e tij të parë këtë edicion.

Megjithatë, edhe përkundër se nuk arriti të shënoj edhe një gol tjetër, Maleski me 5 gola të shënuar pas 5 xhirove të para, udhëheq listën e golashënuesve në elitën e futbollit vendor.

LPFMV, Java 5 | STRUGA TRIM LUM – BREGALLNICA 4:0

Autorë të golave: Hristijan Maleski 14’, 48’, Hammond Agamah 60’, Bunjamin Shabani 75’

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 500

Arbitër kryesor: Benjamin Qerimi

Kartonë të verdhë: Alban Roçi, Lassana Diako

FORMACIONI:

V. Vasilev, A. Roçi, L. Rama (E. Belica 46’), P. Fall (E. Kola 68’), L. Diako (A. Demiri 75’), M. Hamza, B. Bojku, A. Vosha (D. Kehinde 59’), B. Shabani, M. Radeski (H. Agamah 59’), H. Maleski;

Trajner: B. Shkëmbi;