RAPORTI I NDESHJES SË KUPËS | MAKEDONIJA GJ.P – STRUGA TRIM LUM 0:5

Fitore me “manita” në Shkup përballë Makedonija GJ.P në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës…

Serinë e rezultateve pozitive e vazhdojmë edhe në ndeshjet e Kupës. Sot në Shkup zhvilluam ndeshjen e parë edhe në kuadër të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në futbollin vendor.

Pasi ishim të lirë në raundin e parë, Struga Trim Lum aventurën në garat e Kupës e nisi nga faza e 1/8 së finales. Kundërshtarë i yni në këtë fazë ishte Makedonija GJ.P, me të cilën skuadër në të kaluarën kemi luajtur edhe në finale.

Sot përballë këtij kundërshtari zhvilluam ndeshjen e 5-të në kuadër të Kupës, duke shënuar njëherit edhe fitoren më të thellë, 5:0.

Ishte kjo fitorja e tretë përballë Makedonija GJ.P në ndeshjet e këtij kompeticioni, ku kemi gjithashtu edhe dy disfata, mirëpo që në të dyja rastet vetëm pas ekzekutimit të penaltive.

Ndryshe, fitoren e sotme me “manita” e paralajmëroi Djordje Ivkoviç, me golin e tij debutues në një ndeshje zyrtare. Ky gol erdhi në minutën e 29-të, pas një aksioni të rrjedhshëm, që nisi nga këmbët e kapitenit Bunjamin Shabani, që pasoi në krahun e majtë për Pape Fall, i cili edhe njëherë tjetër me asistet e tij të sakta, gjeti brenda zonës sulmuesin Ivkoviç, i cili me kokë shënoi për 1:0.

Ishte ky goli i vetëm i shënuar brenda 45 minutave të para, ku mund të veçojmë edhe një rast diskutabil që ndodhi në zonën e kundërshtarit, edhe atë para syve të arbitrit kryesor, që nuk vendosi të merret fare me një duel mes mbrojtësit vendas Pecov dhe sulmuesit tonë Radeski. Ky i fundit ishte shtyrë nga mbrapa, duke humbur ekuilibrin, mirëpo për arbitrin kryesor, këtu nuk kishte elemente për penalti.

Pjesa e dytë nisi me dy zëvendësime në rradhët tona, kur në lojë u inkuadruan Shaban Zenku dhe Arbi Vosha. Pikërisht ky i fundit doli të jetë rreziku më i madh për mbrojtjen kundërshtare.

Pas një harkimi të Voshës në zonën e rreptësisë në minutën e 50-të, shumë pak mungonte që Ivkoviç të shënojë edhe golin e dytë personal.

Megjithatë, atë që nuk arriti të bëjë sulmuesi ynë, e bëri vetë Arbi Vosha në aksionin e rradhës kur pasi depërtoi nga krahu i djathtë, dhe kur përfitoi hapësirën e duhur për të goditur, e bëri një gjë të tillë me shumë mjeshtëri, duke tundur rrjetën e vendasve edhe për herë të dytë në këtë takim të zhvilluan në stadiumin e Gjorçe Petrovit në Shkup.

Në minutën e 56-të, shumë lehtë mund të ndodhte që rezultati të ishte edhe 3:0 në favorin tonë, mirëpo goditja e Radeskit nga brendia e zonës përfundoi për vetëm disa centimetra jashtë kuadrantit.

Kapiteni Shabani, i cili edhe njëherë tjetër ishte i pandalshëm në mesfushë, në minutën e 76-të pas një kombinimi të shkurtër pranë vijës këndore me Zenkun, harkoi në zonën kundërshtare, aty ku më së miri u gjind Comapore, që shënoi golin e tretë në rrjetën e vendasve. Sulmuesi nga Burkina Faso, këtë gol e realizoi vetëm pas 22 sekondave të kaluara në fushë, kur u inkuadrua nga bankina si zëvendësues i Ivkoviç.

10 minuta më vonë, erdhi edhe goli i katërt, këtë herë me autorë Hristijan Maleski. Ky i fundit përfitoi nga një pasim i saktë dhe me kohë nga ana e kapitenit Bunjamin Shabani, që u shërbye nga Zenku, pasi ky i fundit kishte ndërprerë një aksion të vendasve në pjesën e tyre.

Fitoren e thellë dhe “manitan” ndaj Makedonija GJ.P e rrumbullaksoi Stefan Jevtoski, me golin e realizuar në minutën e 90-të. Këtij super goli i parapriu një kombinim i tij i dyfishtë me Maleskin brenda zonës së vendasve.

Pas këtyre 5 golave, arbitri kryesor me plotë të drejtë fërshëlleu për fundin e takimit pas saktë 91 minutave, në të cilat skuadra jonë dominoi në tërësi kundërshtarin, duke mos i lënë fare hapësirë për të ardhur në shprehje.

Kjo fitore vjen në një moment të duhur dhe me siguri se i hap rrugë edhe një rezultati tjetër pozitiv në fundjavë kundër AP Brera.

Ndeshja kundër skuadrës nga Strumica do ti takojë javës së 10-të në elitën e futbollit  vendor, aty ku jemi lider me 23 pikë pas 9 xhirove të para.

MAKEDONIJA GJ.P – STRUGA TRIM LUM 0:5

Autorë të golave: Dj.Ivkoviç (29’), A. Vosha (51’), B. Compaore (76’), H. Maleski (86’), S. Jevtoski (90’)

Stadiumi: Gjorçe Petrov

Shikues: 200

Arbitër Kryesor:

Done Ristovski (Gjevgjeli)

FORMACIONI:

M. Angelleti (I. Nikolloski 75’), K. Mazoulouxis, J.Maudo, G. Mici (A. Vosha 46’), P. Fall, L. Diako, S. Jevtoski, M. Hamza (Sh. Zenku 45’), B. Shabani, M. Radeski (H. Maleski 63’), Dj.Ivkoviç (B. Comapore 75’);

Trajner: Bledi Shkëmbi