Të shtunën në Strugë do të mirëpresim liderin aktual, Vardarin. Është ky një moment i bukur që skuadra të reflektojë pas tre ndeshjeve të para pa fitore në këtë stinor pranveror…
Struga Trim Lum nuk e nisi mirë stinorin pranveror. Në tre ndeshjet e para kemi marrë vetëm një pikë, ndërsa e shtuna na servon derbin e madh kundër Vardarit. Pikërisht ndaj një kundërshtari të nivelit të lartë presim që skuadra të reflektojë dhe të nis një seri të fitoreve, përmes të cilave sërish do të jemi në garë të ngushtë për titullin kampion.
“Edhe pse nuk kemi filluar siç e prisnim, por kemi punuar shumë në të gjitha aspektet që të rikthehemi te fitoret dhe mendoj që është momenti i duhur të fillojmë të fitojmë dhe të ju kthehemi rezultateve pozitive.” – tha kapiteni Bunjamin Shabani, që beson te skuadra dhe fondin e futbollistëve që kemi: “Vardari është lider, ka një skuadër me futbollistë cilësor, por edhe neve kemi një kolektiv të mirë që mund të përballemi me çdo skuadër dhe këtë do e dëshmojmë në vazhdimësi.”

Shabani tashmë ka lënë pas dëmtimin, që e kishte lënë atë jashtë në tre xhirot e para. Prezenca e tij në takimin e nesërm, me siguri se do të jetë një forcë shtesë për ekipin, duke pasur parasysh cilësitë dhe përvojën që ka.
“Po mungova në ndeshjet e para pas një lëndimi në fazën përgatitore, tanimë lëndimi është pas dhe nga ndeshja e nesërme jam gati të bëj maksimumin dhe ti ndihmoj ekipit.” – deklaroi Shabani.
Kapiteni i skuadrës kërkon ndihmën e tifozëve për këtë ndeshje shumë të rëndësishme, me besim të plotë se në fund së bashku do ti gëzohemi fitores.
“Normalisht luajmë në Strugë, ashtu që pres edhe përkrahjen e tifozëve tanë. E dimë se ndeshjet derbi i vendosin momente të veçanta. Neve jemi gati maksimalisht, kemi punar mirë dhe mendoj që është koha të ju rikthehemi fitoreve.” – përfundoi intervistën e tij Shabani, i cili ishte një ndër autorët e golave në atë barazim 2:2 në ndeshjen e parë të këtij sezoni të zhvilluar në Shkup.


















