Prag ndeshja me Tikveshin | Intervistë me Besmir Bojkun

Besmir Bojku, i cili ndeshjen e fundit kundër Bashkimit rrumbullaksoi 90 ndeshje me fanellën e Struga Trim Lum në Ligën e Parë, nesër kundër Tikveshit do të zhvillojë personalisht ndeshjen e tij të 9-të. Deri më tani ai nuk njeh disfatë në ndeshjet ndaj skuadrës nga Kavadari….

Java e 5-të në elitën e futbollit vendor na servon përballjen ndaj Tikveshit. Ndeshja në fjalë do të luhet në Strugë, aty ku këtë edicion kemi regjistruar dy fitore nga po aq ndeshje, duke mos pranuar asnjë gol.

Kjo seri, Bojku shpreson të vazhdojë edhe pas ndeshjes së nesërme,  pasi në këtë mënyrë mund të shpresojmë për gjëra të mëdha, që mund ti realizojmë bashkë si skuadër.

“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, pas startit pozitiv që patëm. Në këtë periudhë patëm më shumë kohë për tu përgatitur për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare. Të njëjtën e kemi shfrytëzuar edhe për të pushuar paksa, por edhe për tu përgatitur sa më mirë për ndeshjet e ardhshme që na presin në kampionat. Pengesa e parë, do të jetë Tikveshi, një skuadër shumë e papërshtatshme, që gjatë merkatos së verës ishte shumë aktive, ndaj duhet të qasemi me shumë kujdes dhe me shumë vetëbesim” – u shpreh Besmir Bojku, që beson në kualitetet e skuadrës dhe në një fitore tjetër të rradhës kampionale.

“Sigurisht që edhe ndaj Tikveshit, ashtu edhe si në çdo ndeshje tjetër, do të futemi për të dhënë maksimumin dhe për të fituar. Nëse vazhdojmë të luajmë si në ndeshjet paraprake dhe të ju përgjigjemi me përpikshmëri kërkesave të trajnerit në fushën e blertë, duke bërë një lojë të bukur, besoj se edhe këtë herë nuk do të mungojë rezultati pozitiv” – thotë Bojku, i cili në ndeshjen e fundit kampionale ndaj Bashkimit në Kumanoë, regjistroi paraqitjen e tij të 90-të me fanellën e Struga Trim Lum në ndeshjet e Ligës së Parë.

Bojku i kishte nisur si titullarë të gjitha 4 ndeshjet e këtij edicioni, në të cilat skuadra jonë ka pranuar vetëm një gol, edhe atë në transfertën ndaj KF Arsimit në Gostivar. Ky fakt gëzon edhe vetë Bojkun, që  shpreson që në fund skuadra të ruajë portën të paprekur edhe në ndeshjen e tretë me rradhë si vendas gjatë këtij edicioni.

“Tradicionalisht në ndeshjet si vendas pranojmë shumë pak gola, ndaj shpresoj të  vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e rradhës, pasi në këtë mënyrë mund të shpresojmë për gjëra të mëdha, që mund ti realizojmë bashkë si skuadër” – përfundoi intervistën e tij Bojku, i cili nesër personalisht kundër Tikveshit do të luaj ndeshjen e tij të 9-të.

Vlen të theksohet se në 8 ndeshjet e deritanishme kundër skuadrës nga Kavadari, Besmir Bojku nuk njeh disfatë, duke regjistruar 4 fitore dhe 4 barazime.