Prag ndeshja me Sileksin | Intervistë me Memetriza Hamza

Sileksi do të jetë kundërshtari ynë i parë në Strugë për vitin 2026 në kuadër të ndeshjeve kampionale. Kjo ndeshje në program është nesër me fillim në ora 14:00…

Ekipi është gati për ndeshjen e rradhës kampionale, ku për kundërshtarë në kuadër të xhiros së 18-të do të kemi skuadrën e Sileksit. Gjatë ditës së sotme skuadra zhvilloi edhe stërvitjen e saj të fundit, para se nesër në fushën e blertë të shpalosin gjithë atë që kanë punuar me trajnerin Bledi Shkëmbi.

Memetriza Hamza, thotë se ekipi është gati për ndeshjen e nesërme, në të cilën nuk duhet gabuar sërish.

“Jemi gati edhe për këtë ndeshje, njëjtë sikurse edhe ndeshjet tjera. E kemi analizuar mjaftueshëm Sileksin, ashtu që shpresojmë në fund ti arkëtojmë 3 pikët e plota.” – tha fillimisht Hamza.

Ai tha se ndeshja kundër Shkëndijës gjatë javës së kaluar ishte vetëm një ditë e keqe për skuadrën tonë dhe se atë ndeshje e kanë harruar, duke kërkuar për të kapur një seri të rezultateve pozitive.

“Është fillimi i ndeshjeve zyrtare në këtë pjesë pranverore, mund të them se ndeshja kundër Shkëndijës ishte vetëm një ditë e keqe për neve si skuadër. Megjithatë ajo i takon së kaluarës tashmë, ashtu që tashmë jemi të fokusuar në ndeshjet e rradhës, përfshirë këtu edhe ndeshjen e nesërme kundër Sileksit, ku besojmë të mos gabojmë dhe shumë shpejtë të ju rikthehemi rezultateve pozitive.” – deklaroi Hamza, që beson se nesër do ti gëzojnë tifozët strugan me një fitore.

“Sileksi ka një skuadër shumë të mirë, por neve luajmë në stadiumin tonë, luajmë para tifozëve tanë për herë të parë në një ndeshje zyrtare në vitin 2026. Si gjithnjë, respektojmë çdo kundërshtarë që na vinë këtu në Strugë, megjithatë në fushë gjërat flasin ndryshe, dhe aty do të tentojmë që të marrim 3 pikët dhe të vazhdojmë garën për titull.” – përfundoi intervistën e tij Memetriza Hamza, që në vjeshtë shënoi një super gol kundër Sileksit në Kratovë, kur neve kishim shënuar fitore me shifrat 3:1.