Prag ndeshja me Shkëndijën | Besmir Bojku jep opinionin e tij

Ndeshjet derbi janë gjithnjë të paparashikueshme, ndërsa ashtu pritet të jetë edhe këtë herë dueli ndaj Shkëndijës, thotë një nga kapitenët e skuadrës tonë, Besmir Bojku…

Pas pushimit prej pak më shumë se dy muajsh, rikthehen ethet e ndeshjeve kampionale, aty ku stinorin pranveror e nisim me transfertën kundër Shkëndijës në Tetovë. Ndeshjet ndaj këtij kundërshtari gjithnjë kanë qenë magnet për publikun, ndërsa ashtu pritet të jetë edhe të martën.

Skuadra ka bërë përgatitje të mira në Antalya të Turqisë, aty ku zhvilluam fazën kryesore të përgatitjeve.

“Besoj se kemi marrë ngarkesën e duhur gjatë përgatitjeve në Antalya të Turqisë. Kemi pasur kushte shumë të mira, kemi bërë disa ndeshje me kundërshtarë shumë të fortë dhe mendoj se të gatshëm presim pjesën pranverore të sezonit” – u shpreh fillimisht Besmir Bojku, që më pas foli edhe për ndeshjen që na pret të martën në Tetovë.

“Ndeshje derbi, luajmë me një ndër skuadrat më të mira në vend. I dimë cilësitë e Shkëndijës, por besoj se neve si Struga Trim Lum jemi të gatshëm për të dhënë më të mirën për këtë ndeshje.” – tha Bojku.

Sipas tij skuadra në Tetovë udhëton pa ndonjë ngarkesë psikologjike, dhe me dëshirën e madhe për të luajtur futboll cilësor.  

“Ndeshjet derbi janë gjithmonë të paparashikueshme, mund të vendos një episodë gjatë ndeshjes, neve shkojmë në Tetovë pa ngarkesë psikologjike, shkojmë të luajmë futbollin tonë siç kemi luajtur deri tani dhe në fund kush është më i miri le të fitoj ndeshjen – përfundoi Bojku, i cili kundër Shkëndijës do të zhvillojë ndeshjen e tij të 13-të në karrierë.

Deri më tani, i njëjti plotë 5 herë ka dalë fitues ndaj “kuqezinjëve”, derisa gjithashtu ka regjistruar edhe dy barazime dhe dy disfata.

Bojku të martën, njëherit do të kërkojë edhe golin e parë në përballjet ndaj Shkëndijës.