Pelisteri është kundërshtari ynë i rradhës në kampionat. Në prag të këtij takimi, në të cilin futemi si favorit ka folur mbrojtësi i krahut të majtë, Pape Fall…
Pape Fall e ka nisur mjaft mirë sezonin e ri me fanellën e Struga Trim Lum. Ai ka qenë një ndër titullarët e padiskutueshëm te Bledi Shkëmbi, duke kontribuar drejtëpërdrejtë në rezultatet e skuadrës tonë.
Senegalezi është gati për të dhënë më të mirën edhe në ndeshjen e rradhës kundër Pelisterit, ndaj së cilës skuadër pret fitore.
“Jemi gjithmonë të përgatitur për të fituar. Çdo fitore është e rëndësishme, pavarësisht se me cilin ekip përballemi. Jemi gati të vazhdojmë si zakonisht dhe shpresojmë të fitojmë edhe 3 pikë të tjera.” – u shpreh mbrojtësi i krahut të majtë, Pape Fall.

Atij nuk i pëlqen fakti se Struga Trim Lum llogaritet si favorit në takimin e sotëm, pasi një epitet i tillë para kohe, vështirëson gjërat ndonjëherë në fushën e blertë.
“Sipas mendimit tim, të qenit favorit i bën gjërat më të vështira. Nuk e shoh si negative, por kur e di që pritet të fitosh 100%, presioni është më i lartë. Megjithatë, pavarësisht se kundër cilit ekip luajmë, ne gjithmonë japim 100% dhe do të bëjmë të njëjtën gjë edhe në këtë ndeshje.” – u shpreh Pape Fall, i cili kundër Pelisterit pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 20-të jubilare me fanellën e Struga Trim Lum.
Ai edicionin e kaluar u paraqit në 12 ndeshje, duke kontribuar edhe me 3 asistime, derisa këtë edicion, në 7 ndeshjet e deritanishme ka regjistruar 4 asistime, duke mbajtur kështu epitetin e asistuesit më të mirë në këtë fillim sezoni.


















