Hristijan Maleski kundër FC Shkupit javën e kaluar regjistroi paraqitjen e tij të 100-të jubilare në Ligën e Parë. Këtë jubile, Maleski e kurorëzoi me gol dhe një asist…
Hristijan Maleski po zhvillon sezonin e tij më të mirë me fanellën e Struga Trim Lum. 23-vjeçari strugan në 22 ndeshjet e deritanishme ka regjistruar 10 gola dhe 4 asistime, duke u shndëruar në një nga pikat kryesore të skuadrës së udhëhequr nga Bledi Shkëmbi.
Maleski e pranoi se skuadra dështoi në fillimin e stinorit pranveror, mirëpo beson fuqishëm se fitorja ndaj FC Shkupit erdhi në momentin e duhur për të kapur një seri të re të fitoreve që do e mbanin skuadrën në garë për titullin e kampionit.
“Kishim një krizë të vogël në fillim të stinorit pranveror, fitorja ndaj FC Shkupit mendoj se erdhi mu në momentin e duhur, ndërsa ndeshja e nesërme kundër Makedonija GJ.P besoj se është një mundësi e mirë për të vijuar serinë e fitoreve dhe të vazhdojmë të jemi pjesë e treshes që do të luftoj deri në fund për titullin kampion.” – u shpreh Hristijan Maleski, i cili në ndeshjen ndaj FC Shkupit përveç që shënoi një gol, ai edhe asistoi në një nga golat e Bassirou Compaore.

Maleski së bashku me Compaoren bëjnë pjesë në TOP5-shen e golashënuesve më të mirë në kampionat, ndërsa dita e nesërme mund të sjellë sërish gola për këtë dyshe.
“Mund të premtoj se do të jap maksimumin edhe në takimin e nesërm që ekipi të fitoj sërish, ndërsa golat e mi le të jenë një shpërblim për ekipin. Çdo gol për neve sulmuesit vlen shumë, ndaj çdoherë tentojmë të bëjmë punën tonë më së miri” – vazhdoi Maleski, që po zhvillon sezonin e tij më të mirë individual.
“Gjithsesi se jam i lumtur për këtë gjë dhe golat me të cilët ndihmojë skuadrën, megjithatë mund të them se në plan të parë janë pikët e plota, që do e ndihmonin skuadrën për tu ngritur vazhdimisht në tabelën e klasifikimit” – u shpreh Maleski, që beson se nesër në Strugë ekipi do të ketë përkrahjen e publikut strugan, që ndeshjet e fundit po na ndjek në numër më të madh, e që pa dyshim se është ky një stimul i mirë për vetë futbollistët.
“Çdoherë është mirë kur luan para publikut tënd. Shpresoj që edhe nesër të jenë në numër të madh, ndërsa neve do na mbetet që ti shpërblejmë ata me fitore dhe 3 pikë të tjera në këtë sezon” – përfundoi Maleski, që në ndeshjen kundër FC Shkupit regjistroi paraqitjen e tij të 100-të në Ligën e Parë, 79 prej të cilëve i ka të zhvilluara me fanellën e Struga Trim Lum.


















