Prag ndeshja me FC Shkupin | Intervistë me Memetriza Hamza

Vazhdojmë serinë e ndeshjeve, aty ku nesër do të përballemi me FC Shkupin, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 11-të në elitën e futbollit vendor…

FC Shkupi do të jetë kundërshtari ynë i rradhës në kampionat. Struga Trim Lum në këtë ndeshje futet me 23 pikë pas 10 ndeshjesh, vetëm një pikë larg kreut të tabelës dhe me sulmin me më shumë gola në ligë (24 gola).

Pikërisht sulmi pritet të ketë fjalën kryesore edhe në takimin e nesërm, ndërsa i gatshëm për të ndihmuar këtë repart, është edhe sulmuesi ynë anësor, Memetriza Hamza.

“Jemi gati për të dhënë maksimumin si në çdo ndeshje tjetër, ashtu që edhe nesër do të dalim në fushë për të marrë 3 pikët e plota. Pikërisht ky është edhe pikësynimi ynë kryesor, me qëllim për të vijuar garën për titull” – thotë Memetriza Hamza, i cili ndeshjen e fundit kundër AP Brera, e nisi nga stoli.

Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, Hamza është i kënaqur me performancën e tij personale të deritanishme.

“Jam i kënaqur me veten dhe me formën që po zotërojë, megjithatë mendoj se gjithnjë ka vend pr përmirësim. Shpresoj që forma ime të jetë në nivelin e duhur dhe të ndihmojë skuadrën në arritjen e objektivave të këtij sezoni” – vijoi Hamza, i cili paralelisht me mjaft sukses gjatë muajit që po lëmë pas u paraqit edhe me fanellën e përfaqësueses shpresa të Maqedonisë, për të cilën zhvilloi dy ndeshje, edhe atë kundër Armenisë, ku luajti rolin e asistuesit në fitoren 2:1, ndërsa për 90 minuta të plota luajti edhe kundër Malit të Zi në Tuzin shqiptarë.

Ndeshjen e nesërme kundër FC Shkupit si asnjëherë më parë do ta zhvillojmë në Strugë, mirëpo në rolin e mysafirit.

“Normalisht se kjo do jetë mirë për skuadrën, pasi do të luajmë në stadiumin e Strugës, aty ku edhe i zhvillojmë ndeshjet si vendas. Këtë herë në rolin e mysafirit, mirëpo kjo nuk luan edhe shumë rol, pasi Struga Trim Lum, pavarësisht se ku luan, në çdo ndeshje jep më të mirën, duke luajtur gjithnjë për fitore. Ashtu do jetë edhe nesër” – thotë Hamza.

7 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 disfatë është epilogu i takimeve të deritanishme. Aktualisht jemi në vendin e dytë me 23 pikë, vetëm një pikë më pak se Vardari.