Prag ndeshja me AP Brera | Intervistë me Shaban Zenkun

Pas pauzës prej gati tre javësh, rikthehemi me ndeshjet në kampionat, aty ku nesër na pret ndeshja e javës së 10-të kundër AP Brera. Në prag të këtij takimi nga tabori i skuadrës tonë foli Shaban Zenku…

Shaban Zenku i gatshëm pret ndeshjen e nesërme kundër AP Brera në kampionat, aty ku vazhdojmë të jemi lider. Zenku, ishte pjesë e fitores kundër Makedonija GJ.P në mesjavë, ndërsa gjithashtu luajti dy ndeshje me ekipin përfaqësues U21 të Maqedonisë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin e ardhshëm Europian.

Tashmë i njëjti është gati të jap kontributin e tij me fanellën e Struga Trim Lum në ndeshjet kampionale.

“Ndeshjen me Brerën e presim si çdo ndeshje tjetër, me fokus maksimal për të performuar në lartësinë e duhur në drejtim të realizimit të objektivit tonë, që është fitorja. Jemi të qetë, pauza e zgjatur edhe shkaku i zgjedhjeve na ka bërë mirë, pasi e kemi shfrytëzuar si një mini-fazë përgatitore dhe vlerësoj se jemi gati për takimin me Brerën.” – u shpreh fillimisht Shaban Zenku, i cili nesër pret fitoren e 8-të sezonale pas 10 xhirove.

Jam i bindur se do të luftojmë në maksimumin e mundësive tona, pavarësisht kush do të jetë në terren, secili futbollist duket i gatshëm për të dhënë më të mirën. Personalisht nesër pres fitoren numër 8 në kampionat – deklaroi Zenku, i cili dalë nga dalë po i afrohet formës së tij optimale.

Ndjehem shumë mirë dhe mendoj se i afrohem formës optimale. Një dëmtim më ka penalizuar dhe nuk kam mundur të jem në maksimumin tim, por besoj se nga dita në ditë po përmirësohem shumë edhe në aspektin fizik. Jam 100% i gatshëm që të ndihmoj skuadrën dhe besoj se këtë do ta dëshmoj në terren. Kemi atmosferë pozitive dhe besoj nesër të kemi një arsye tjetër për pozitivitet brenda skuadrës.” – tha në fund të intervistës, Shaban Zenku, që nesër kundër AP Brera pritet të luaj si titullarë.