Prag ndeshja me AP Brera | Arbi Vosha jep opinionin e tij

Nuk ka kohë për pushim. Pas ndeshjes kundër Vardarit të shtunën, Struga Trim Lum nesër në Strumicë në kuadër të javës së 21-të do të përballet me AP Brera…

Arbi Vosha është një nga futbollistët më në formë të momentit te Struga Trim Lum, derisa i njëjti luajti titullarë në dy ndeshjet e fundit kundër Pelisterit dhe Vardarit. Ai në ndeshjen e zhvilluar në Manastir, madje arriti të shënojë, ndërsa një gjë të tillë shpreson të bëjë edhe nesër kundër AP Brera në Strumicë.  

“Jam në formën e duhur, edhe pse mund të them se gjithnjë ARBI jep maksimumin në ndeshjet e Struga Trim Lum. Normalisht se ky fakt më gëzon, e për më tepër goli i shënuar ndaj Pelisterit. Shpresoj të shënoj edhe nesër, ku premtoj se nëse më jepet mundësia nga ana e trajnerit, sërish do ti kryej detyrat e dhëna në fushë, aty ku besojmë të dalim triumfues dhe në Strugë të rikthehemi me 3 pikë të plota” – u shpreh fillimisht Arbi Vosha, i cili pranon se AP Brera mbetet një nga kundërshtarët më të papërshtatshëm të skuadrës tonë.

“Na pret një ndeshje e rëndë, ndaj një kundërshtari shumë të papërshtatshëm. AP Brera është një skuadër e mirë, me shumë djem të rinj në skuadër, që dëshirojnë të tregohen në çdo ndeshje. E dimë që do ta kemi të vështirë, megjithatë neve jemi Struga Trim Lum dhe në çdo ndeshje luajmë për fitore. Ashtu do jetë edhe nesër, ashtu që besoj fuqishëm se nga kjo transfertë do rikthehemi me pikë të plota” – u shpreh Arbi Vosha, që thotë se brenda këtyre pak ditëve që kishin në disponim janë munduar të analizojnë në mënyrë më të detajuar kundërshtarin.

“Kemi analizuar kundërshtarin, është një kundërshtarë i vështirë. Për më tepër ata luajnë në shtëpi, mirëpo siç theksova edhe më lartë, neve në këtë ndeshje na interesojnë vetëm 3 pikët”. – deklaroi Arbi Vosha, që në 20 ndeshje të këtij sezoni ka regjistruar 2 gola dhe 3 asistime.

Ndryshe, AP Brera është skuadra më e preferuar e Voshës, ndaj së cilës skuadër në 18 ndeshje të deritanishme ka realizuar 5 gola, më shumë se ndaj çd skuadre tjetër.