Memetriza Hamza, është një tjetër futbollistë i Struga Trim Lum që është thirrur për të qenë pjesë e ekipit përfaqësues. Për dallim nga Bojan Ilievski që është ftuar te ekipi A, Hamza ynë do të jetë pjesë e përfaqësueses shpresa të vendit…
Memetriza Hamza është nisur drejt Polonisë, aty ku si pjesë e ekipit U21 të përfaqësueses futbollistike të Maqedonisë, do të ndeshen kundër moshatarëve të tyre polak në kuadër të eliminatoreve për Europianin e vitit 2027.
Do të jetë kjo njëherit ndeshja e parë në kuadër të ciklit të ri të eliminatoreve, ku Maqedonia bën pjesë në grupin “E”, së bashku edhe me Italinë, Malin e Zi, Poloninë, Suedinë dhe Armeninë.
Një grup shumë i fortë, ku shpresojmë që Hamza të merr edhe minutat e para në ndeshje zyrtare me fanellën e përfaqësueses shpresa të vendit.

Deri më tani, futbollisti ynë, Hamza, ka zhvilluar dy ndeshje me fanellën e U21, mirëpo që të dyja ishin me karakter miqësor.
Hamza ishte ftuar për dy ndeshjet miqësore kundër Kosovës, ndërsa tani është ftuar edhe për dy ndeshjet eliminatore të shtatorit, kundër Polonisë dhe Italisë.
Ndeshjen kundër ekipit polak, Maqedonia do ta zhvillojë në transfertë me datë 5 shtator, ndërsa 4 ditë më vonë (09 shtator) në Manastir do të luajnë ndaj kombëtares italiane.
Shpresojmë që Hamza të ketë hapësira në këto dy ndeshje, duke dëshmuar cilësitë e tij që posedon, me besim se shpresat e vendi tonë do të dalin me rezultate pozitive nga këto dy ndeshje.