Vazhdon seria e ndeshjeve pa HUMBJE e Struga Trim Lum. Në kuadër të javës së 9-të, barazuam 2:2 në ndeshjen derbi të zhvilluar në Shkup kundër Vardarit…
Edhe pas javës së 9-të ka vazhduar seria e ndeshjeve pa disfatë të Struga Trim Lum. Sot në stadiumin më të madh në vend, në arenën “Todor Proeski” barazuam 2:2 kundër Vardarit, edhe pse në dy raste ishim në avantazh.
Një mundësi e artë e humbur në minutat shtesë nga ana e Hristijan Maleskit, na kushtoi me dy pikë të humbura, pasi në aksionin e rradhës, Vardari barazoi shifrat, duke i ikur kështu disfatës.
Kapiteni Bunjamin Shabani ishte autorë i golit të parë, me të cilin u mbyll pjesa e parë, ndërsa i njëjti në pjesën e dytë luajti rolin e asistuesit në golin e shënuar nga Bassirou Compaore, i cili në këtë mënyrë vazhdoi serinë e golave në kampionat.
Për sulmuesin nga Burkina Faso goli i sotëm ndaj Vardarit, ishte i 9-ti nga po aq ndeshje të zhvilluara, duke kryesuar listën e golashënuesve.
FALL VAZHDON ME ASISTIMET E TIJ, KAPITENI SHABANI RIKTHEHET TE GOLI
Ndeshja nisi shumë më mirë për skuadrën tonë që rrezikoi seriozisht portën e vendasve vetëm pas 7 minutave lojë, kur kapiteni Bunjamin Shabani mjaft mirë pasoi brenda zonës për sulmuesin Compaore, goditjen e të cilit me mjaft sukses e ndali portieri Taleski.
Ky super rast paralajmëroi edhe golin e avantazhit të Struga Trim Lum, që erdhi në minutën e 19-të. Pape Fall në krahun e majtë edhe njëherë tjetër ishte “alfa-omega”, si në detyrat mbrojtëse, ashtu edhe në ato ofenzive, kur në minuutën e 19-të me një super asist brenda zonës kundërshtare, i mundësoi Bunjamin Shabanit që të shënojë golin e epërsisë për 1:0.
Ishte ky goli i dytë këtë edicion për kapitenin tonë, që njëherit ishte edhe i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para.
COMPAORE VAZHDON SERINË E GOLAVE
Struga Trim Lum e nisi më mirë edhe pjesën e dytë, kur vetëm pas 4 minutave lojë shumë lehtë mund të ndodhte që të shënonim me anë të Radeskit. Ishte Besmir Bojku ai i cili pasoi për sulmuesin tonë brenda zonës kundërshtare, mirëpo edhe pse përfitoi hapësirën e duhur për të goditur, topi nuk përfundoi në vendin e duhur.
Në minutën e 55-të një harkim nga e majta e futbollistit kundërshtarë Manevski bëri që Ilievski të intervenojë dhe të devijoj topin në rivënie nga këndi me krahëmbyllur, mirëpo sipas arbitrit kryesor Stojançe Stojanov, kjo kishte të bëjë me penalti, ashtu që edhe përkundër rishikimit në VAR, i njëjti nuk ndryshoi vendimin e tij, duke treguar në pikën e bardhë.
Megjithatë drejtësia doli në pah, kjo falë edhe intervenimit të shkëlqyeshëm të portierit tonë, Marco Angeletti, që nuk lejoi barazim të rezultatit.

Nuk vonoi shumë, dhe Lasana Diako tentoi të rrezikojë portën e vendasve, mirëpo goditja e tij u ndal nga portieri i Vardarit, skuadër kjo që pas një ore lojë na ndëshkoi përmes Matos, që shënoi për 1:1.
Pavarësisht këtij goli të pranuar, skuadra reagoi shumë mirë dhe në kohën e duhur, pasi në minutën e 64-të, sërish rikthyem epërsinë në favorin tonë. Një aksion bukur i rrjedhshëm nga krahu i djathtë me aktorë, Ilievski – Shabani, u kurorëzua me gol nga ana e Bassirou Compaore, që në maksimum shfrytëzoi assistin e kapitenit tonë.
Në këtë mënyrë sulmuesi ynë nga Burkina Faso vazhdoi serinë e golave këtë edicion, duke regjistruar kështu edhe golin e tij të 9-të personal, nga po aq ndeshje të zhvilluara.
Hristijan Maleski në minutat shtesë shumë lehtë mund të zgjidhte çështjen e fituesit të këtij takimi, mirëpo edhe pse doli i vetmuar para portierit vendas, Taleski, nuk arriti që ta mposhtë këtë të fundit.
Ky rast i humbur na kushtoi shumë në aksionin e rradhës, kur Vardari me anë të Jankullov barayoi shifrat në minutën e 94-të.
Në fund barazim 2:2, që na mundëson të ruajmë pozitën e parë me epërsinë e dy pikëve ndaj kundërshtarit të sotëm pas 9 xhirove të kaluara.

VARDARI – STRUGA TRIM LUM 2:2
Autorë të golave: B. Shabani 19’, B. Compaore 63’
Stadiumi i qytetit: Shkup
Shikues: 500
Arbitër kryesor: Stojançe Stojanov
Kartonë të verdhë: M. Angeletti, L. Diako, H. Maleski, M. Hamza
_________________________________________________________________________________________________________
FORMACIONI:
M. Angeletti, B. Ilievski, J. Maudo, G. Mici, P. Fall, L. Diako, B. Bojku (S. Jevtoski 57’), M. Hamza, B. Shabani (Sh. Zenku 77’), M. Radeski (H. Maleski 57’), B. Compaore (A. Vosha 89’);
Trajner: Bledi SHKËMBI