Skuadra e Bledi Shkëmbit shënoi fitore 2:0 përballë Pelisterit. Që të dy golat erdhën vetëm në 10 minutëshin e fundit të takimit, edhe atë me autorë, Hristijan Maleski…
Falë fitores së sotme 2:0 ndaj Pelisterit, Struga Trim Lum tashmë kryeson e vetme renditjen tabelare, duke përfituar kështu edhe nga barazimi pa gola i Vardarit kundër Bashkimit në Kumanovë.
Njeriu i ndeshjes erdhi nga bankina dhe ai është Hristijan Maleski, që realizoi të dy golat në 10 minutat e fundit të takimit, përfshirë këtu edhe shtesat.

PJESA E PARË PA GOLA DHE PA SHUMË RASTE
Pjesa e parë nuk prodhoi futboll shumë cilësor. Një gjë e tillë ndodhi edhe për faktin se mysafirët mbroheshin me të gjitha forcat, duke mos menduar fare për golin tonë. Me një qasje të tillë të kundërshtarit, ekipi nuk mund të vinte në shprehje të rrezikojë portën kundërshtare, ashtu që në pushim rrjetat mbetën të paprekura.
I pari që u kanos në këtë pjesë, ishte golashënuesi ynë më i mirë, Bassirou Compaore, mirëpo goditja e tij me kokë pas harkimit të Besmir Bojkut, përfundoi vetëm mbi portë.
E gjithë kjo ndodhi në minutën e 21-të, ndërsa 10 minuta më pas, edhe kapiteni Bunjamin Shabani vendosi të shënojë me një gjuajtje nga distanca, por pa sukses.

REZERVISTI MALESKI, NJERIU I NDESHJES
Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, me një Pelister që vazhdonte të mbrohej. Kjo bëri që trajneri Shkëmbi ta studiojë edhe më mirë lojën e tyre dhe të nis të bëjë ndryshime në formacion.
I pari që u inkuadrua në lojë, ishte Arbi Vosha, që zëvendësoi Pape Fall. Me inkuadrimin e Voshës, sulmi u bë më i rrezikshëm, derisa i njëjti kontribuoi në golin e parë të Hristijan Maleskit në minutën e 84-të.
Megjithatë para se të shënonim këtë gol, skuadra krijoi disa raste mjaft të mira, përfshirë këtu edhe atë të minutës së 62-të, kur mungoi bashkëpunimi në vijën e sulmit, repart ky që në minutën e 71-të u përforcua me inkuadrimin e dyshes, Shaban Zenku – Hristijan Maleski.
Ky i fundit menjëherë nisi të ju shkaktojë probleme mbrojtësve të Pelisterit, e në veçanti portierit Jovçevski, që ishte me shumë fat në minutën e 73, pasi goditja e Maleskit përfundoi vetëm në shtyllë.
Nuk vonoi shumë dhe një harkim tjetër nga krahu i djathtë i Bojan Ilievskit, bëri që këtë herë Radeski të rrezikonte portën mysafire. Në minutën e 80-të, Maleski u shfaq sërish i rrezikshëm, këtë herë në shtyllën e parë, kur tentoi me kokë pas harkimit të Arbi Voshës nga rivënia e këndit.
Kjo dyshe, që erdhi nga bankina, së bashku me kapitenin Bunjamin Shabani, ishte më e merituar për golin e parë që erdhi në minutën e 84-të, me autorë Hristijan Maleski, që përfitoi nga një devijim i gabuar i Veliç brenda zonës kundërshtare dhe me të majtën e tij shënoi për 1:0.
E majta e tij funksionoi edhe 10 minuta më vonë, kur pas pasimit të Compaore, pasi u fut në zonën kundërshtare, lëshoi një goditje precize, duke vendosur rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Struga Trim Lum 2, Pelisteri 0.
Ishte kjo fitorja e 7-të gjithsej për skuadrën tonë në 10 duelet e deritanishme kundër Pelisterit, që na e mundësonë të jemi në pozitën e parë me 22 pikë, dy më shumë se Vardari, rivali ynë i ardhshëm në kampionat.

STRUGA TRIM LUM – PELISTERI 2:0
Autorë të golave: Hristijan Maleski 84’ 90+4’
Stadiumi i qytetit: Strugë
Shikues: 500
Arbitër kryesor: Stojançe Stojanov
Kartonë te vërdhë: M. Hamza;

FORMACIONI:
M. Angeletti, B. Ilievski, K. Mazoulouxis (H. Maleski 71’), G. Mici, P. Fall (A. Vosha 57’), L. Diako (S. Jevtoski 88’), M. Hamza, B. Bojku (Sh. Zenku 71’), B. Shabani, M. Radeski (J. Maudo 88’), B. Compaore;
Trajner: Bledi SHKËMBI