Një gol i shënuar nga Compaore dhe Hamza gjatë pjesës së parë paralajmëruan fitoren e madhe ndaj Sileksit, të cilën me një gol tjetër fare në fund e vulosi Zenku. Në fund fitore 3:1 në transfertën në Kratovë, që vjen pas gati tre vitesh….
Struga Trim Lum morri tre pikë mjaft të mëdha në transfertën e vështirë në Kratovë, aty ku në fund regjistruam fitore 3:1. Bassirou Compaore u rikthye shpejt tek goli, pasi nuk shënoi në mesjavë ndaj Shkëndijës, ndërsa golat e parë të këtij edicioni i shënuan edhe dy futbollistët tanë të rinj, Memetriza Hamza dhe Shaban Zenku.

Që të dy shënuan dy super gola, duke bërë të lumtur edhe trajnerin, pasi tashmë lista e futbollistëve që po shënojnë dhe që dalë nga dalë po gjejnë formën e duhur, po shtohet gjithnjë e më tepër.
Përveç një periudhe të shkurtër presioni në fillim të pjesës së dytë, qasja e ashpër e Sileksit nuk i shqetësoi në asnjë moment futbollistët tanë, që si duket që nga fillimi dinin se çfarë kërkonin në fushën e blertë.
Në të vërtetë, Sileksi u tregua edhe me fat, pasi fitorja jonë mund të ishte edhe më e thellë, në rast se traverza nuk do të tregohej aleate e portierit vendas në pjesën e dytë pas goditjes së Bojkut, ku nuk duhet harruar edhe rastet e qindtpërqindta të Compaore dhe Voshës.
Takimi i sotëm, bënë që të besojmë se skuadra po fiton vrull të vërtetë, me ndjenjën se ka ende shumë për të bërë në vijim të kampionatit.

COMPAORE SHËNON GOLIN NUMËR 8 NË 7 NDESHJE SEZONALE
Struga Trim Lum e kishte kontrollin që nga fërshëllima e parë e arbitrit kryesor Benjamin Qerimi, ashtu që goli i hershëm dukej i pashëmangshëm. Ai erdhi vetëm pas 7 minutave lojë, kur Pape Fall si një rrufe u shfaq nga krahu i majtë, duke arritur të harkojë në shtyllën e parë, aty ku nuk fali Bassirou Compaore, duke realizuar golin e epërsisë. Për sulmuesin nga Burkina Faso, ishte ky goli i 8-të sezonal, duke konfirmuar edhe njëherë tjetër formën e tij të madhe.
Paraprakisht mbrojtja e Sileksit kishte bllokuar një tentativë të Memetriza Hamza, i cili me të majtën e tij tentoi edhe në minutën e 18-të, mirëpo pa vënë në vështirësi portierin vendas.
Në minutën e 23-të, Hristijan Maleski, që e nisi ndeshjen si titullar, bëri gjithçka mirë në zonën kundërshtare, kur fillimisht u lirua nga kundërshtari i tij Buturoviq, arriti që edhe të godas, mirëpo pa vënë në vështirësi të mëdha portierin, Xhekov.
10 minuta më vonë, ndodhi momenti më i bukur deri në ato momente. Memetriza Hamza me të majtën e tij ekzekutoi në mënyrë perfekte gjuajtjen e lirë, duke shënuar një super gol nga afro 30 metrash.
Vendasit u kundërpërgjigjën në minutën e 41-të, kur përmes Hrvanoviç ngushtuan epërsinë tonë në 1:2.
Në minutën e parë të kohës shtesë, Pape Fall dhe Bassirou Compaore sërish ishin në skenë dhe në të njëjtat role, mirëpo këtë herë sulmuesi ynë nuk arriti që të dalë fitues përballë Xhekov.

ZENKU BOMBARDOI PORTËN E VENDASVE NË PJESËN E DYTË
Fillimi i pjesës së dytë i takoi Sileksit, mirëpo në disa raste mbrojtja jonë ishte në nivelin e detyrës, njëjtë sikurse edhe portieri Angeletti, i cili në minutën e 50-të ndali goditjen e Mirçevskit nga distanca.
Ky presion i vendasve nuk shqetësoi aspak skuadrën tonë, që përmes një aksioni të shpejtë në minutën e 53-të mund të shënonte edhe golin e tretë. Fillimisht goditja e Maleskit u bllokua nga mbrojtja vendase, ndërsa në vazhdim të aksionit, Compaore, edhe pse mirë e mendoi, goditi vetëm mbi portë.
Nuk vonoi shumë dhe 4 minuta më pas, Struga Trim Lum përmes një aksioni të shpejtë me anë të kapitenit Bunjamin Shabani, që vendos të kombinojë me të sapoinkuadruarin në lojë, Arbi Vosha, rrezikoi edhe njëherë tjetër portierin e vendasve, Xhekov, i cili pati shumë fat në aksionin e rradhës, kur Bojku me të djathtën e tij goditi vetëm traverzën.
Arbi Vosha, që në lojë erdhi nga bankina, dukej shumë i disponuar për lojë, mirëpo i njëjti edhe pse ndodhej në një pozitë shumë të volitshme për të shënuar golin e parë të këtij sezoni, ai në minutën e 78-të, si duket gaboi edhe këndin e portës së Xhekov, duke zgjedhur anën e kundërt.
Në minutën e 82-të pas një aksioni të gjatë, ku në qendër të vëmendjes ishte Shaban Zenku, ky i fundit mjaft mirë pranoi një top në zonën kundërshtare nga Bojku, mirëpo goditjen e tij e ndaloi Buturoviq, duke devijuar topin në rivënie nga këndi.
Megjithatë Zenku morri gjithë vëmendjen e skenës në minutën e 91-të, kur thjesht e bombardoi portën e vendasve, duke shënuar golin e tretë, për fitoren 3:1 të Struga Trim Lum në transfertën ndaj Sileksit.

STRUGA TRIM LUM KRYESON RENDITJEN
Pas 7 xhirove, Struga Trim Lum numëron 19 pikë, duke u renditur në pozitën e parë, me pikë të njëjta me Vardarin. 6 fitore dhe vetëm 1 barazim është epilogu i 7 xhirove të para, ku skuadra gjithashtu është treguar mjaft efikase, duke realizuar 18 gola dhe duke pranuar vetëm 3.
Ishte kjo njëherit fitorja e tretë nga po aq ndeshje si mysafir këtë edicion. Më parë me shifrat 2:1 mundëm KF Arsimin, ndërsa në Kumanovë ndaj Bashkimit kishin regjistruar fitore 5:0.

NDESHJA E RRADHËS KUNDËR PELISTERIT
Javën e ardhshme rikthehemi të luajmë në Strugë, ku për kundërshtarë do të kemi skuadrën e Pelisterit nga Manastiri. Kjo ndeshje do të zhvillohet të shtunën me fillim në ora 15:00.
SILEKSI – STRUGA TRIM LUM 1:3
Autorë të golave: B. Compaore 7’, M. Hamza 33’, Shaban Zenku 90+1’
Stadiumi: Kratovë
Shikues: 300
Arbitër kryesor: Benjamin Qerimi
Kartonë të verdhë: B. Ilievski, J. Maudo, Sh. Zenku

FORMACIONI:
M. Angeletti, B. Ilievski (G. Mici 79’), J. Maudo, K. Mazoulouxis, P. Fall, L. Diako (S. Jevtoski 79’), B. Bojku, B. Shabani (M. Radeski 70’), M. Hamza (Sh. Zenku 70’), H. Maleski (A. Vosha 55’), B. Compaore;
Trajner: Bledi SHKËMBI