LPFMV, Java 26 | FC SHKUPI – STRUGA TRIM LUM 0:3

Dy golat e Hristijan Maleskit dhe një tjetër i Florian Roçit bënë që të shënojmë një fitore të lehtë përballë FC Shkupit, duke i rikthyer shumë shpejtë tek fitorja, pas asaj disfate në fundjavë ndaj Rabotniçkit…

Fitore e pastërt 3:0 në duelin e javës së 26-të kundër FC Shkupit, ndeshje kjo që u zhvillua në Strugë, pavarësisht se skuadra kundërshtare kishte rolin e nikoqirit.

Ishte kjo fitorja e tretë nga po aq ndeshje të zhvilluara këtë edicion ndaj këtij kundërshtari, që vitin e ardhshëm do të luaj në Ligën e Dytë.

Figurë qendrore në këtë ndeshje doli të jetë, Hristijan Maleski, që realizoi dy gola, ndërsa i njëjti mund të regjistronte edhe “hat-trikun” e tij të parë këtë edicion, në rast se në minutën e 39-të shënonte nga pika e bardhë.

Goli tjetër ishte pjesë e Florian Roçit, për të cilin ishte ky goli i dytë sezonal në paraqitjen e tij të 7-të. Floriani, sërish shënoi ndaj një skuadre shkupjane, kjo pasi herën e parë i kishte shënuar Makedonija GJ.P.

NDESHJA

Ndeshja nisi me inciativë të plotë të Struga Trim Lum, mirëpo në mungesë të ndonjë goditje direkte nga ana e lojtarëve tanë, në minutën e 10-të shumë pak mungonte që të shihnim veten në avantazh përmes një autogoli të vendasve, mirëpo që ishte traverza aleate e portierit të FC Shkupit, Sefer Musliu.

Vetëm dy minuta pas gjithë kësaj situate të krijuar para portës kundërshtare, Radeski tentoi me të djathtën e tij, mirëpo pa probleme kësaj rradhe për Musliun.

Aksionet vazhduan, sidomos nga krahu i djathtë me Alban Roçin, që ishte shumë aktiv së bashku me Voshën, e që më pas në këtë anë të transferohej edhe Memetriza Hamza. Pikërisht pas një kombinimi mes dyshes Vosha-Hamza, Diako në minutën e 20-të rrezikoi portën vendase, mirëpo Musliu këtë herë ishte në vendin e duhur.

Hamza edhe njëherë tjetër tentoi nga krahu i djathtë, mirëpo goditja e tij nga gjuajtja e lirë përfundoi në traverzë. Hamza vazhdoi me tentativat e tij të rrezikshme nga krahu i djathtë, derisa në minutën e 33-të harkimi i tij rezultoi deçiziv. Hristijan Maleski ishte në vendin e duhur aty brenda zonës dhe me kokë shënoi për 1:0.

Maleski shumë pak mungoi që në aksionin e rradhës të shënoj edhe golin e dytë në rrjetën e FC Shkupit, mirëpo njëri nga mbrojtësit e skuadrës kundërshtare me një intervenim të shkëlqyer nuk lejoi gëzimin e sulmuesit tonë, ndërsa në vazhdim të aksionit të njëjtë, Radeski përfitoi një penalti, të cilën e humbasi pikërisht Maleski.

Kështu pjesa e parë u mbyll me vetëm një gol në rrjetën e FC Shkupit.

Pjesa e dytë erdhi me dy ndryshime në formacion dhe me golin e dytë që erdhi vetëm pas 5 minutave lojë në këtë pjesë.

Vendin e Arbi Voshës e zuri Gledi Mici, ndërsa atë të kapitenit Bunjamin Shabani, Florian Roçi. Pikërisht Floriani shënoi golin e dytë me një goditje nga vija e 16-të metërshit, kur e majta e tij doli të jetë e saktë dhe të përfundojë pas shpinës së Musliut.

Gardiani i ri i FC Shkupit nuk vonoi shumë dhe në minutën e 54-të edhe njëherë tjetër duheshe që të nxjerr topin nga rrjeta e tij, pasi këtë herë ishte Maleski që shfrytëzoi pasimin e Memetriza Hamza, duke shënuar për rezultat 3:0.

Këtu ishte edhe fundi i takimit, sa i përket fituesit, kjo pasi FC Shkupi nuk është se realisht na rrezikonte.

Ndërkohë rastet para portës kundërshtare vijuan edhe pas 3 golave të shënuar. Në minutën e 58-të Marjan Radeski me kokë tentoi për të shënuar golin e tij të parë në këtë takim, mirëpo shtylla i mohoi golin.

Paraqitjen e tij të shkëlqyeshme në takimin e sotëm, Hamza shumë lehtë mund ta kurorëzonte me gol në minutën e 67-të, mirëpo të majtën e tij të fuqishme me një intervenim bravuroz e ndali portieri, Musliu.

Tentativën e fundit për të shënuar edhe një gol tjetër në rrjetën e FC Shkupit, e regjistrojmë në minutën e 89-të, kur pas kombinimit të bukur mes Maleskit dhe Demishkoskit, ky i fundit tentoi të shënoj me të majtën e tij, mirëpo topi përfundoi vetëm në rivënie fundore.  

Fitorja e sotme ndaj FC Shkupit ishte e 17-ta këtë edicion pas 26 xhirove të kaluara. Me 56 pikë Struga Trim Lum renditet në pozitën e 3-të, duke lënë pas vetes Sileksin me 10 pikë më pak.

FC SHKUPI – STRUGA TRIM LUM 0:3

Autorë të golave: H. Maleski 33’, 54’, Alban Roçi 51’

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 500

Arbitër kryesor: Bllagojçe Rallevski

Kartonë të verdhë:

FORMACIONI:

M. Angeletti, A. Roçi, B. Ilievski, L. Diako, A. Zendeli, A. Vosha (G. Mici 46’), M. Hamza (T. Demishkoski 74’), B. Bojku (K. Mazuluksis 59’), B. Shabani (F. Roçi 46’), H. Maleski, M. Radeski (V. Koçoski 59’);

Trajner: Bledi Shkëmbi;