Pas një performance të mirë taktike dhe një presioni të vazhdueshëm para tifozëve tanë, mundëm sërish FC Shkupin, këtë herë me shifrat 5:0…
Struga Trim Lum për herë të dytë këtë edicion doli fitues përballë FC Shkupit, këtë herë me një rezultat shumë më të thellë se ai i ndeshjes së parë.
5:0 doli të jetë rezultati i këtij takimi të zhvilluar në Strugë, për ti dhënë fund serisë prej 5 ndeshjeve pa fitore në stinorin pranveror.
Para 500 mbështetësve në tribunat e stadiumit në Strugë, aty ku mbizotëroi një mot shumë i mirë me diell dhe kushte ideale për lojë, ndeshja u bë shpejt e gjallë dhe pas një harkimi të Memetriza Hamza në minutën e 7-të nga krahu i majtë, Hristijan Maleski, me kokë shënoi golin e avantazhit.
Maleski ishte shumë afër golit të dytë personal, mirëpo traverza i mohoi golin në minutën e 11-të, kur Vosha mjaft mirë kishte asituar nga krahu i djathtë.
Vetëm 6 minuta më vonë, Maleski edhe njëherë tjetër shfaqet i rrezikshëm para portës kundërshtare, mirëpo vetëm jashtë kuadrantit.
Mbrojtësi Mazuluksis në minutën e 19-të rrezikoi dukshëm portën kundërshtare, mirëpo i riu Bertan Kerimi i mohoi golin grekut, duke pastruar topin para vijës fatale.
Në minutën e 26-të dyshja Memetriza Hamza dhe Stefan Jevtoski morrën gjithë vëmendjen, pas një kombinimi perfekt, direkt nga goditja e këndit, mirëpo që fatkeqësisht topi pas goditjes së Jevtoskit, për disa centimetra kaloi skaj shtyllës.

Vetëm një minutë më pas Marjan Radeski përfitoi nga një devijim i topit në zonën kundërshtare, mirëpo goditjen e sulmuesit tonë e ndali me mjaft sukses portieri, Sefer Musliu.
Presioni ndaj ekipit mysafir vazhdoi edhe në momentet e fundit të pjesës së parë, kur fillimisht Adrian Zendeli nuk shfrytëzoi një devijim të topit brenda zonës kundërshtare, duke goditur jashtë portës, që më pas Bunjamin Shabani edhe përkundër lëvizjes së bukur që bëri para zonës kundërshtare, nuk arriti të shënojë, pasi e majta e tij e tradhëtoi.
Megjithatë, kapiteni Shabani ndryshe reagoi në aksionin e fundi të pjesës së parë, kur me të djathtën e tij nga brendia e zonës shënoi golin e dytë në rrjetën e Sefer Musliut.
Menjëherë pas këtij goli arbitri kryesor, Smokovski nga Prilepi tregoi fundin e pjesës së parë, ndërsa skuadra e Struga Trim Lum vazhdoi me të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë, në të cilën shtuam edhe 3 gola të tjerë.
Dy prej tyre ishin pjesë e Bassirou Compaore, që në lojë u inkuadrua në fillimin e pjesës së dytë, së bashku edhe me Florian Roçin dhe Besmir Bojkun.
Ky i fundit në minutën e 50-të nga krahu i majtë mjaft mirë harkoi në shtyllën e parë, aty ku me kokë një gol të bukur realizoi mbrojtësi Mazuluksis, duke shënuar për 3:0.
Për grekun Mazuluksis, ishte ky goli debutues në Ligën e Parë dhe njëherit me fanellën e Struga Trim Lum.

Arbi Vosha edhe sot ishte ndër futbollistët më aktiv, por megjithatë nuk arriti të shënojë, kjo pasi në minutën e 56-të shtylla i mohoi golin.
Vosha rezultoi produktiv në aksionin e rradhës të minutës së 60-të, kur nga krahu i djathtë harkoi në shtyllën e dytë për Maleskin, i cili me kokë riktheu topin fare pranë golit të skuadrës kundërshtare, aty ku Compaore nuk fali dhe shënoi për 4:0.
Sulmuesi nga Burkina Faso u kanos edhe në minutën e 70-të, kur pas harkimit të Hamza tentoi të shënojë me kokë, ndërsa i njëjti në minutën e 77-të arriti që të shënojë edhe golin e dytë personal, kur në maksimum shfrytëzoi harkimin e Radeskit, që ndeshjen e sotme e mbylli me dy asistime, pas atij në pjesën e parë për kapitenin Shabani.
Memetriza Hamza edhe njëherë tjetër doli në skenë, sërish me ato asistime të sakta nga goditjet e këndit, kur kësaj rradhe kishte bashkëpunuar jashtë zonës me Gledi Micin, e majta e të cilit përfundoi vetëm pak centimetra skaj shtyllës pingule të portierit Sefer Musliu.
Ky i fundit në momentet e fundit të takimit pati edhe dy super intervenime, madje në një moment duke rrezikuar edhe shëndetin e tij, por që fatmirësisht gjithçka kaloi pa pasoja dhe me një fund të mirë.

STRUGA TRIM LUM – FC SHKUPI 5:0
Autorë të golave: H. Maleski 7’, B. Shabani 45+’, K. Mazuluksis 50’, B. Compaore 60’, 77’
Stadiumi i qytetit: Strugë
Shikues: 500
Arbitër kryesor: Kiril Smokovski
Kartonë të verdhë: /
FORMACIONI:
M. Angeletti, K. Mazuluksis, L. Diako (A. Roçi 46’), G. Mici, A. Zendeli, S. Jevtoski (B. Compaore 46’), B. Shabani (B. Bojku 46’), M. Hamza, A. Vosha (F. Roçi), M. Radeski, H. Maleski (V. Koçoski 60’);
Trajner: Bledi Shkëmbi;


















