LPFMV-Java 20 | STRUGA TRIM LUM – VARDARI 1:1

Një pikë e fituar ndaj liderit aktual, Vardarit. Ishte ky barazimi i dytë i njëpasnjëshëm, me skuadrën që tregoi shenja pozitive sidomos në pjesën e dytë…

Hristijan Maleski hyri nga stoli për të shënuar me kokë golin e barazimit në pjesën e dytë ndaj Vardarit, duke regjistruar barazimin e dytë rradhazi, pas atij kundër Pelisterit javën e kaluar.

1:1 doli të jetë edhe sot rezultati përfundimtarë, me Struga Trim Lum, që në këtë mënyrë regjistron barazimin e katërt këtë edicion.

Strugani, i cili zëvendësoi Marjan Radeskin në minutën e 69-të, e kaloi mbrojtjen e “kuqezinjëve” nga Shkupi, për t’u përballur me krosin e Bassirou Compaore dhe pas 10 minutash lojë në fushën e b lertë, të shënojë golin e tij të 9-të sezonal në 20 ndeshje, e ku në shumicën prej tyre në lojë është inkuadruar nga stoli.

Vardari kishte shkuar në pushim me golin e mbrojtësit Matiç  që në minutën e 12-të, kur mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Zakariç nga goditja e këndit.

Portieri mysafir Davor Taleski para këtij goli të shënuar bëri një pritje shumë të rëndësishme, duke ndalur goditjen e Marjan Radeskit, i cili brenda dy minutave kishte dy tentativa për të shënuar në rrjetën e mysafirëve, mirëpo pa arritur qëllimin.

Gjatë pjesës së parë, më saktësisht në minutën e 34-të, për shkak të një dëmtimi, para kohe fushën e braktisi mbrojtësi ynë, Maudo, vendin e të cilit e zuri Mici.

Pjesa e dytë ishte shumë më e mirë për Struga Trim Lum, që rrezikoi portën mysafire vetëm pas dy minutave të kaluara me anë të Compaore, kur goditja e tij me kokë për disa centimetra kaloi skaj shtyllës.

Në minutën e 52-të, ishim shumë pranë barazimit. Fillimisht Gledi Mici tentoi direkt nga gjuajtja e lirë, ndërsa në vazhdim të aksionit, Bojku për mrrekulli gjeti në zonën kundërshtare Compaore, goditjen e të cilit me kokë në mënyrë bravuroze e ndali portieri mysafir, Taleski.

Në minutën e 72-të sërish rrezikojmë portën e mysafirëve, mirëpo këtë herë pa arritur të shënjestrojmë portën e Taleskit, pasi Compaore doli të jetë i shkurtër në tentativën për të shënuar golin e barazimit.

Skuadra vazhdoi të qëndrojë në gjysmëfushën e kundërshtarit, duke kërkuar me ngulm golin e barazimit, që nuk erdhi edhe në minutën e 74-të, pas goditjes së ashpër të kapitenit Bunjamin Shabani, që kaloi për vetëm disa centimetra skaj shtyllës.

Dhe pas gjithë këtyre tentativave pa finalizimin e duhur, në minutën e 79-të erdhi goli i shumëpritur, që ishte pjesë e Hristijan Maleskit. Jevtoski nga gjuajtja e lirë harkoi në qendër të zonës kundërshtare, aty ku Compaore me kokë riktheu topin për Maleskin shumë pranë golit, me këtë të fundit që nuk fali dhe shënoi golin e barazimit. Fillimisht për habi të pranishmëve në stadium, por edhe gjithë stafit të Struga Trim Lum, ky gol u anulua nga ana e arbitrit  kryesor Furkan Idrizi, i cili dha një vendim të tillë pa marrë përgjigjen përfundimtare nga dhoma VAR.

Megjithatë vetëm pas disa sekondash, i njëjti ndryshoi vendimin, duke treguar në qendër të mesfushës, pasi VAR kishte konfirmuar se goli ishte i shënuar në mënyrë të rregullt.

Ekipi vazhdoi të qëndrojë në gjysmëfushën e Vardarit, duke kërkuar golin e dytë, mirëpo shumë pak mungonte që të ndëshkoheshim në anën tjetër, kur Bosançiç me një goditje nga distanca goditi shtyllën.

Përkundër zëvendësimeve të shumta nga të dyja taboret, por edhe të disa ndërprerjeve të lojës, për shkak ndërhyrjeve të palejuara, arbitri Idrizi në fund tregoi vetëm 3 minuta lojë shtesë, që nuk përputheshin realisht me ato minuta të humbura.

Në fund barazim 1:1, që është i dyti ndaj këtij kundërshtari këtë edicion, ku pas 20 xhirove të kaluara me 43 pikë renditemi në pozitën e tretë.

STRUGA TRIM LUM – VARDARI 1:1

Autorë i golit: Hristijan Maleski 79’

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 1500

Arbitër kryesor: Furkan Idrizi

Kartonë të verdhë: Arbi Vosha, Stefan Jevtoski,

FORMACIONI:

V. Vasilev, B. Ilievski, J. Maudo (G. Mici 34’), L. Diako, P. Fall, S. Jevtoski, B. Bojku, B. Shabani, A. Vosha (M. Hamza 89’), M. Radeski (H. Maleski 69’), B. Compaore;

Trajner: Bledi Shkëmbi;